SHBA, avion bombardues mbi gadishullin korean

30.07.2017 16:30

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur në fluturim dy avionë bombardues “B-1B”....

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur në fluturim dy avionë bombardues “B-1B” mbi gadishullin korean, në atë që konsiderohet si shfaqje force pas testeve raketore të Koresë së Veriut.

SIç njoftojnë Forcat Ajrore amerikane, fluturimi i avionëve “B-1B” i zhvilluar të shtunën ishte një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë e testeve raketore, si dhe e lëshimit më 3 korrik të raketës “Hwansong 14”.

Bombarduesit u ngritën nga një bazë amerikane, e më pas me to u bashkuan edhe avionë luftarakë japonezë dhe koreano-jugorë. “Koreja e Veriut mbetet ende kërcënimi më urgjent ndaj stabilitetit në rajon”, theksohet në deklaratën e komandantit të Forcave Ajrore të Paqësorit.

“Nëse do të jetë e nevojshme, ne jemi të gatshëm të përgjigjemi me një forcë të shpejtë, vdekjeprurëse dhe dominuese, në kohën dhe vendin që do ta zgjedhim vet ne”. Koreja e Veriut njoftoi se të premten kishte zhvilluar me sukses një tjetër test të një rakete balistike ndërkontinentale (ICBM), që kishte provuar sipas shtetit komunist aftësitë e tij për të goditur tokën amerikane.