Deponia në Strugë ende aktive, vatrat e zjarrit kundërmojnë qytetin
Qyteti i Strugës vazhdon të jetë i stërmbushur me plehra...

Qyteti i Strugës vazhdon të jetë i stërmbushur me plehra nga më të ndryshmet në deponinë e egër të këtij qytetit. Kjo deponi disa herë është djegur pikërisht në valën e sezonit turistik dhe ka krijuar kaos ekologjik.
Djegia e deponisë jo vetëm që ka kundërmuar, por ka shkaktuar gjithashtu tym të zi dhe mjegull duke e mbuluar qytetin.
Iniciativa të ndryshme qytetare, por dhe banorët vetë të kësaj ane, si dëshmitarë të helmimit sistemik që po ndodh në këtë qytet për shkak të djegies së përditshme të deponisë së egër, kërkojnë dhe bëjnë apel që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë e problemit.
Ditëve të fundit janë ngritur edhe iniciativa, siç është edhe “Struganët për Strugën”, me qellim të ngritjes së vetëdijes qytetare dhe krijimit të presionit ndaj organeve kompetente për zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij problemi.
Iniciativa e ngritur është dërguar edhe në adresë të Qeverisë së Maqedonisë dhe Komunës së Strugës. Iniciativa në fjalë përmban kërkesat, ku mes tjerash shuarjen e menjëhershme të të gjitha vatrave të zjarrit në deponi dhe parandalimin e ndezjes së vatrave të reja, qoftë nga faktori natyror qoftë nga faktori njeri.
Kërkohet gjithashtu të merren masa për sigurimin e deponisë 24/7 dhe të ndalohet aksesi i personave të pautorizuar me qëllim të parandalimit të hedhjes së mbeturinave të reja në këtë deponi dhe ndezja e të njëjtave; Iniciatorët kërkojnë edhe dislokim të deponisë dhe revitalizim të truallit të deponisë aktuale, si dhe të gjendet zgjidhje e qëndrueshme për grumbullimin dhe trajtimin e mbeturinave të rajonit të Strugës.
Iniciatorët kanë paralajmëruar organet kompetente që të gjitha kërkesat e tyre duhet të realizohen më së voni deri më datën 1 gusht, në të kundërtën e njëjta pas kësaj date në qoftë se vazhdon të digjet dhe tymojë, do të merren masa më radikale në mbrojtje të shëndetit, mjedisit jetësor dhe imazhit turistik të Strugës. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)
