Punësimi i personave me aftësi të kufizuara, Polio Plus kërkon fond dhe kontroll të parave
Edhe krahas mbështetjes financiare nga shteti, kompanitë nuk tregojnë interes të posaçëm....

Oda Ekonomike e Maqedonisë bashkë me Polio Plus, bashkërisht realizojnë një projekt evropian nga IPA i quajtur "Qendra për punësimin e personave me aftësi të kufizuara", i cili është pjesë e programit operativ për zhvillim të resurseve njerëzore.
"Projekti në esencë ka mision të dyfishtë, t'i përgatisë personat me aftësi të kufizuara me njohuritë e nevojshme dhe mbështetje të kompanive për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në proceset e tyre të punës. Punësimi i personave me aftësi të veçanta, në sektorin publik dhe atë privat, vazhdon të jetë në numër shumë të vogël”.
Kështu thonë nga Polio Plus, duke shtuar se arsimimi i tyre është shkaku kryesor i mospunësimit për shkak se nuk janë mjaftueshëm të trajnuar për kryerjen e detyrave më të ndërlikuara.
Nga Polio Plus kërkojnë përfundimin e përgatitjes së Ligjit të ri që parasheh fond të posaçëm dhe kontroll të parave për personat me handikap.
Ndërsa, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë thonë se në bashkëpunim me Polio Plus kanë hapur Qendër për punësimin e personave me handikap, me qëllim përgatitjen e tyre me njohuri dhe shkathtësi për përfshirje në tregun e punës.
