Marrëveshja ShBA - Estoni, mundësi për sistem anti-raketor
Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, dje e ka ngritur mundësinë e vendosjes së sistemit mbrojtës raketor....

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, dje e ka ngritur mundësinë e vendosjes së sistemit mbrojtës raketor, PATRIOT, në Estoni, ka thënë kryeministri i këtij vendi, Juri Ratas.
Ratas tha se me zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence, ka biseduar edhe për manovrat e planifikuara ushtarake të Rusisë, afër kufirit të Estonisë dhe se “Estonia, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, do të duhej t’i monitoronin ato dhe shkëmbejnë informacione”.
Pence, në ndaljen e parë të tij gjatë turneut, me ç’rast do ta vizitojë edhe Gjeorgjinë dhe Malin e Zi, tha në kryeqytetin Talin të Estonisë se Uashingtoni qëndron me vendet baltike dhe aleatët e tjerë në pjesën lindore të Evropës, që kanë shprehur shqetësim për qëllimet e Rusisë në rajonet përkatëse.
Në Talin, zëvendëspresidenti, Mike Pence, është takuar me presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid, me ç’rast është biseduar për ekonominë digjitale, sigurinë kibernetike dhe për inovacione. Planifikohet që ai do të qëndrojë edhe në Letoni dhe Lituani, që të dy këto shtete, së bashku me Estoninë, janë anëtare të NATO-s, të cilat dikur ishin nën sundimin e Moskës gjatë periudhës sovjetike.
Nga Talini, Pence ndalet në Gjeorgji dhe në Mal të Zi, që është vendi më i ri anëtar i aleancës veriatlantike.
Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara thonë se ky udhëtim shihet si vazhdim i vizitës së presidentit amerikan, Donald Trump, në Evropë, në fillim të muajit korrik. Estonia dhe Mali i Zi janë anëtarë të NATO-s, derisa Gjeorgjia ka shprehur dëshirë për bashkim me aleancën perëndimore. (Fatos Musliu, TVM2)
