Grujevski dhe Boshkovski akoma në liri, Kadriu: Gjykatësit duhet të përgjigjen

31.07.2017 16:57

Të akuzuarit në rastin e Prokurorisë Speciale “Talir” dhe “Fortesa”.....

Të akuzuarit në rastin e Prokurorisë Speciale “Talir” dhe “Fortesa”, ish-shefi i Drejtorisë së Pestë për Siguri dhe Kundër-Zbulim, Goran Grujovski, dhe agjenti i zbulimit, Nikolla Boshkovski, vazhdojnë të jenë të pakapshëm për organet e ndjekjes.

Është dita e pestë që Ministria e Punëve të Brendshme ka lëshuar fletëarrest ndërkombëtar për arrestimin e tyre pas vendimit të vonuar për paraburgim nga Gjykata Supreme.

Gjykata Penale deri më tani ka pasur një qasje tejet negative ndaj të gjitha kërkesave dhe propozimeve për të cilat PPS ka kërkuar paraburgim, vlerëson eksperti juridik, Osman Kadriu. Ky rast ka hapur çështjen për përgjegjësi të organeve më të larta gjyqësore dhe duhet të punohet në ngritjen e procedurave për përgjegjësi të gjykatësve dhe prokurorëve.

“Ja dhe një shans dhe një dukuri tejet negative për të cilën duhet të zhvillohen reforma në gjyqësi me zhvillimin e procedurës për përgjegjësi konkrete të gjykatësve dhe prokurorëve, e cila përgjegjësi në fazën e parë duhet të përfundojë me shkarkim, ndërsa për disa prej tyre duhet të ushtrohet edhe përgjegjësi penale meqenëse ato e kanë keqpërdorur pozitën e tyre. Kjo që ndodhi kohën e fundit e pasqyron gjendjen aktuale që e kemi në gjyqësor, e cila është shumë e vështirë dhe me të vërtet flet se nuk ka drejtësi, ka gjykimi selektive, nuk respektohet e drejta dhe për këtë janë  përgjegjës drejtpërsëdrejti funksionarët e gjyqësorit dhe Prokurorisë shtetërore”,- deklaroi eksperti juridik, Osman Kadriu.

Osmani njëherit thekson se kjo gjendje vështirëson procedurat gjyqësore për të cilat paraburgimi nuk është përfunduar me vendim të plotfuqishëm. Ndaj vendimeve të tilla gjyqësore rreth rasteve të ngritura nga PPS kanë reaguar ekspertë juridikë të cilët vendimet e tilla i shohin si presedan në drejtësi. Qeveria ka paralajmëruar reforma rrënjësore në drejtësi prej ku pritet që përmes planit 3-6-9 përgjegjësia disiplinore t’i kalohet në kompetenca Këshillit gjyqësor.

Ndërkohë që pritet Kuvendi të shkarkojë edhe kryeprokurorin, Marko Zvrlevski, si pjesë e reformave në sistemin e drejtësisë. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)