“Krivollak”, stërvitje ushtarake ShBA-RM, Zaevi: Stërvitjet hapin rrugën për në NATO
Ushtarët e ShBA-ve dhe të Maqedonisë realizuan me sukses stërvitjen e paraparë....

Ushtarët e ShBA-ve dhe të Maqedonisë realizuan me sukses stërvitjen e paraparë ushtarake “Dragoon Guardian 17” në poligonin “Krivollak”, që kishte të bëjë me ballafaqimin e mjeteve shpërthyese të improvizuara dhe përpunimin e rrugicës për aviacion pa drejtues. Mysafirë të lartë nga ShBA dhe vendi përcjellën këtë stërvitje ushtarake.
“Për mua është kënaqësi që ushtarët tanë, duke marrë pjesë në këto ushtrime, e hapin rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE dhe NATO, dhe unë jam krenar për atë që bashkërisht këtu me ushtarë të trajnuar të ShBA-ve mundemi t’i realizojmë të gjitha aktivitetet ushtarake”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
“Këto stërvitje ushtarake nuk kanë filluar këtë javë këtu në “Krivollak”. Kanë filluar me një sërë ushtrimesh në Gjermani ku inxhinierët e juaj dhe tanët kanë punuar në përforcimin e partneritetit ushtarak në aksion, ku këto aktivitete mund të ndihmojnë që të avancohen aspiratat euroatlantike të vendit”,- u shpreh ambasadori i ShBA-së në Shkup, Xhes Bejli.
Në stërvitjen ushtarake “Dragon Guardian 17“ morën pjesë 300 ushtarë të ShBA-ve të njësisë inzhinierike, e njëjta stërvitje është paraparë të realizohet edhe në disa qytete të tjera të vendit.
Kryeministri Zaev gjithashtu shpreh kënaqësi se këto stërvitje realizohen para vizitës së tij me nënkryetarin e ShBA-së, Majk Pens, në Ballkan, ku mes tjerash pritet që Zaevi t’i kërkojë ndihmë që vendet e tjera anëtare të NATO-s të mbështesin Maqedoninë të bëhet anëtare e plotë e kësaj aleance. (Rexhep Qamili, TVM2)
