Takimi Osmani – Ivanovi, prezantohet plani qeveritar 3-6-9, Osmani: Plani 3-6-9, moment historik për mbylljen e kontesteve
Maqedonia është në një moment historik ku duhet t’u jepet fund temave mjaft sensitive....

Maqedonia është në një moment historik ku duhet t’u jepet fund temave mjaft sensitive, çështjes ndëretnike dhe ndërfqinjësore, përdorimit të gjuhëve, marrëveshjes me Bullgarinë, theksoi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, pas takimit me presidentin, Gjorge Ivanov. Sipas zëvendëskryeministrit Osmani, përmbyllja e këtyre temave hap shtigjet për zhbllokimin e rrugës eurointegruese të vendit.
“E informova Ivanovin edhe për nevojat e adresimit të temave sensitive, siç janë çështjet ndëretnike dhe marrëdhëniet ndërfqinjësore. E informova se sot Qeveria mund të miratojë Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe me këtë do të mbyllet një temë e rëndësishme, siç është e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe çështjet ndërfqinjësore, që parashohin Marrëveshjen me Bullgarinë, e cila duhet të nënshkruhet nesër. Unë e informova presidentin për procedurat e Qeverisë në drejtim të miratimit të Ligjit për gjuhët dhe atë në kontekst të mbylljes së temave të rëndësishme për të zhbllokuar rrugën e integrimeve euroatlantike”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
Osmani tha se për realizimin e planit 3-6-9 një pjesë e kompetencave bien edhe nën ombrellën e Presidencës, sidomos kur bëhet fjalë për çështjen e emërimeve në diplomaci, Gjykatën Kushtetute apo në Këshillin Gjyqësor, si dhe në shërbimet e inteligjencës në shtet.
Ivanovi ka kërkuar që zgjidhjet e reformave të sistemit të sigurisë dhe mbrojtjes të jenë në përputhje me detyrimet kushtetuese të Këshillit për Siguri të Republikës së Maqedonisë, ndërsa për kërcënimin e migracionit ilegal, ai ka kërkuar të vendoset në përputhje me procedurën e ngritur në Ligjin për menaxhimin e krizave. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
