Turqi - gjyqi për puçistët, 500 të arrestuar dalin para drejtësisë
Afro 500 persona të arrestuar nga tentativa e dështuar e grushtit të shtetit....

Afro 500 persona të arrestuar nga tentativa e dështuar e grushtit të shtetit kanë dalë përpara drejtësisë turke, në një proces që është cilësuar si më i madhi i mbajtur që prej korrikut të vitit 2016.
Seanca zhvillohet në një sallë speciale të krijuar pranë bazës nga ku mendohet se nisi përpjekja për rrëzimin e qeverisë. Mes personave që do të gjykohen në këtë raund të parë është edhe kleriku, Fetullah Gulen.
Për këtë të fundit, Ankaraja ka kërkuar vazhdimisht ekstradimin e tij nga Shtetet e Bashkuara, por diçka e tillë deri më tani nuk ka ndodhur. Si rrjedhojë, vendimi për të akuzuarin si organizator i tentativës për grusht shtet do të jepet në mungesë.
Në radhën e parë të të akuzuarve përfshihen gjithashtu gjeneralë dhe individë të tjerë që mbanin pozita të larta në ushtrinë turke përpara korrikut të vitit që lamë pas.
Gjyqi në Ankara po mbahet në një kohë kur ka pasur kritika të shumta nga vendet perëndimore në lidhje me trajtimin e të burgosurve.
Sipas Bashkimit Europian, personat që janë vënë në pranga janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore, ndërsa është bërë thirrje për procese gjyqësore të drejta. Megjithatë, Qeveria turke i konsideron akuzat të pabaza.
Në Turqi ka qarkulluar vazhdimisht edhe ideja e rikthimit të dënimit me vdekje teksa miratimi i mundshëm i kësaj nisme do t’i jepte menjëherë fund përpjekjeve të Ankarasë për ta anëtarësuar vendin në Bashkimin Europian. (Aida Ziberi, TVM2)
