Greqia përfshihet nga flakët, 36 vatra zjarri, rrezikohen edhe zonat e banuara

01.08.2017 13:49

Greqia është përfshirë nga një valë zjarresh që kanë shpërthyer në zona të ndryshme të vendit.....

Greqia është përfshirë nga një valë zjarresh që kanë shpërthyer në zona të ndryshme të vendit.

Në të gjithë vendin ka aktualisht 36 vatra zjarri. Në pjesën lindore të Athinës po vazhdon që prej ditës së djeshme zjarri në zonën Kalivia.

Në një moment gjuhët e flakëve thuajse prekën banesat në qytezën turistike Saronida, po e keqja më e madhe u mënjanua falë ndërhyrjes së vendosur të zjarrfikësve. Megjithatë, ende nuk është arritur që zjarri të vihet nën kontroll, edhe pse aty janë përqendruar forca të mëdha.

Në zonë po veprojnë më shumë se 150 trupa, mbi 60 automjete zjarrfikëse, tre helikopterë dhe dy avionë. Situata mbetet mjaft e vështirë për shkak të erërave të fuqishme që fryjnë që nga dita e djeshme.

Rrezikshmëria më e lartë është lokalizuar në Athinë, Peloponez, Greqinë perëndimore dhe atë kontinentale, si dhe në ishujt e rajonit verior dhe jugor të detit Egje.