Zgjedhjet në Venezuelë, qytetarët: Sanksionet e ShBA-së shumë të buta

01.08.2017 14:02

Në Venezuelë ka pasur reagime të forta pas zgjedhjeve të fundjavës.....

Në Venezuelë ka pasur reagime të forta pas zgjedhjeve të fundjavës që i dhanë pushtet të pakufizuar partisë qeverisëse, e që pasuan me sanksionet amerikane ndaj presidentit venezuelas, Nicolas Maduro. Qytetarët i quajnë sanksionet të domosdoshme por "shumë të buta".

"Edhe pse shumë njerëz thonë se sanksionet janë gjë e tepërt, unë them se sanksionet janë të domosdoshme, sidomos për të parandaluar shitjen e naftës sonë. Zgjedhjet nuk janë vetëm problem i Venezuelës, por problem rajonal”,- u shpreh studenti, Anderson Beyega.

“Sanksionet për mua janë shumë të buta. Shtetet e Bashkuara kanë fuqinë dhe gjithçka, ata e dinë se qeveria jonë është e korruptuar. Duhet të ngrihen pasuritë e tyre, por sanksionet aktuale janë shumë të buta”,- tha studenti, Grecia Rodriguez.

Tashmë qeveria i ka arrestuar dy liderët e opozitës, Leopoldo Lopez dhe  Antonio Ledezma. Ata ndodheshin në arrest shtëpie për akuzat e nxitjes së dhunës gjatë protestave anti-qeveritare të vitit 2014. Familjarët e tyre kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për vendin ku i kanë çuar forcat e policisë pas arrestimit.

Në trazirat e së dielës, ndërkohë, mbetën të vdekur 15 persona. Prokuroria po heton për të paktën 7 prej vrasjeve. Janë më shumë se 120 të vdekur gjatë protestave disamujore kundër qeverisë  në Venezuelë dhe vendi është futur në një krizë të thellë.

Partia fituese tashmë do të duhet të rishikojë kushtetutën e vendit dhe do të kenë kompetenca mbi institucionet e tjera shtetërore, përfshirë kongresin e kontrolluar nga opozita. (Aida Ziberi, TVM2)