Zaevi dhe Borisovi firmosën marrëveshjen Maqedoni – Bullgari
Zaevi: Marrëveshja, kontribut për stabilizim të rajonit, Borisovi: Marrëveshja, dëshmi se Ballkani mund të ketë paqe

Kryeministri i Maqedonisë dhe ai i Bullgarisë, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, nënshkruan marrëveshje për miqësi, fqinjësi dhe bashkëpunim të ndërsjellë. Kjo marrëveshje përfshin përkrahje nga Bullgaria për aspiratat euroatlantike të Maqedonisë, bashkëpunim në planin bilateral dhe multirateral, lehtësimin e formaliteteve doganore, ndarjen e mjeteve për projekte ndërkufitare dhe lehtësimin e kontakteve mes qytetarëve.
Kryeministri, Zoran Zaev, tha se kjo marrëveshje është hap historik dhe i bëri ftesë edhe VMRO-DPMNE-së ta përkrah marrëveshjen.
“Kjo marrëveshje është sukses i përbashkët dhe kontribut për stabilizim politik të rajonit dhe më gjerë. U përcaktuam të udhëheqim zgjidhje politike dhe jo probleme. Tek Bullgaria kemi parë partner konstruktiv me qëllime të njëjta. Shoqërimi është shembull se si frenimi shumëvjeçar mund të shndërrohet në motor për zhvillim. Çështja e marrëdhënieve fqinjësore është çështje e pjekurisë, andaj kjo marrëveshje është mesazh i fuqishëm deri te BE dhe NATO, se vendet tona kanë udhëheqësi politike që ndërtojnë ura bashkëpunimi”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Ndërkohë, sipas kryeministrit të Bullgarisë, Bojko Borisov, kjo marrëveshje i dëshmon BE-në se është e mundur të ketë paqe në Ballkan.
“Kjo marrëveshje ka kuptimin e saj sepse i tregon BE-së se në Ballkanin e trazuar ku para njëzet viteve kishte tmerr dhe gjakderdhje mbi dhjetë mijë njerëz, tani e tutje do ta shohin reagimin i cili do të jetë pozitiv. Për dhjetë vite rezultatet e takimit të sotëm do të jenë të dukshme”,- u shpreh kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov.
Sa i përket reagimeve negative në Maqedoni, Zaevi tha se për këtë marrëveshje kontribut ka dhënë edhe Qeveria e mëparshme në krye me Nikolla Gruevskin. Ndërkohë që Borisovi tha se kritikues do të ketë çdoherë, të atillë kishte edhe në Bullgari. Sipas tij, nga kjo marrëveshje as Serbia dhe Bullgaria nuk duhet të ndjehen të kërcënuara.
Vizita zyrtare e delegacionit bullgar vazhdon edhe nesër në festën shtetërore Ilinden, ku të dy kryeministrat do vendosin kurora lulesh në varrin e revolucionarit maqedonas, Goce Dellçev.
Delegacioni i Bullgarisë u takua edhe me kryetarin, Gjorge Ivanov, dhe kryeparlamentarin, Talat Xhaferi, ndërkohë që mes ministrave u nënshkruan edhe shumë marrëveshje bashkëpunimi. (Flutura Latifi, TVM2)
