Qeveri, nuk arrihet pajtueshmëri rreth Ligjin për gjuhët, “Besa”: Ligji për shqipen do të duhet të presë edhe gjatë
Qeveria mbrëmë deri vonë ka hapur debatin për Ligjin e gjuhëve....

Qeveria mbrëmë deri vonë ka hapur debatin për Ligjin e gjuhëve, por nuk është arritur pajtueshmëri për propozim - ligjin, përkatësisht dy organet që duhet formuar për implementimin e tij, prandaj janë dakorduar që edhe më tej të vazhdojë koordinimi për implementimin e ligjit.
“Në diskutimin e parë u konstatua se është i nevojshëm koordinimi i mëtejshëm, me qëllim të arritjes së pajtueshmërisë për mënyrën e zbatimit të zgjidhjes ligjore për përdorimin e gjuhëve, përkatësisht të definohen kompetencat që do të dilnin nga ligji lidhur me dy organet që duhet të formohen: Agjencia për përdorimin e gjuhëve dhe Inspektorati për përdorimin e gjuhëve”,-thuhet në kumtesën qeveritare.
Në kumtesë bëhet e ditur se propozim-ligji për gjuhët do të rikthehet në rend dite në ndonjërën nga seancat e ardhshme të Qeverisë. Ligji për përdorimin e gjuhëve pritet të miratohet para zgjedhjeve lokale, për çka janë zotuar edhe kryeministri, Zoran Zaev, dhe zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Derisa LR-PDSh e Ziadin Selës si partner i koalicionit qeveritar ka paralajmëruar tërheqjen nga koalicioni nëse ligji nuk miratohet para zgjedhjeve lokale. Por, deputeti i Lëvizjes “Besa”, Zeqirija Ibrahimi, ka vlerësuar se mosmarrja e vendimit nga Qeveria për të sjellë Ligjin për gjuhën në Kuvend, shtron dilemën “se a kanë pasur ndonjë marrëveshje partitë shqiptare për të hyrë në Qeveri”.
“Nga ajo që mund ta kuptojmë i bie që Ligji për gjuhën shqipe edhe një kohë të gjatë nuk do të vijë në procedurë kuvendore, kurse kjo akoma më shumë e fuqizon bindjen tonë se partitë shqiptare vazhdojnë të jenë vetëm dekor i qeverive dhe të mos kenë asnjë rol thelbësorë aty”,- tha Zeqirija Ibrahimi nga Lëvizja “Besa”.
Nga Lëvizja “Besa” thonë se do të presin 100 ditshin e formimit të Qeverisë, dhe nëse deri atëherë nuk miratohet Ligji për gjuhët, “Besa” do të bëjë propozim-ligjin e saj. (Gyltene Sinani, TVM2)
