Rebalanci i buxhetit, Tevdovski: Shkurtojmë shpenzimet joproduktive, Dimovski: Rebalanci paraqet buxhet jozhvillimor
Deputetët në kuvend kanë nisur debatin në seancë plenare mbi propozimin....

Deputetët në kuvend kanë nisur debatin në seancë plenare mbi propozimin e qeverisë lidhur me riorganizimin e arkës shtetërore.
Paraprakisht, ministri i Financave, Dragan Tevdovski, miratimin e rebalancit e arsyetoi me shkurtimin e shpenzimeve joproduktive dhe sigurimin e mjeteve të cilat, sipas tij, do të sigurojnë kohezion social midis qytetarëve dhe mbështetje për ndërmarrjet vendore.
“Shkurtimi i shpenzimeve joproduktive të pushtetit ka siguruar mundësi për buxhetimin e masave të reja që kanë të bëjnë me mbështetjen e qytetarëve dhe ndërmarrjeve vendore. Ato masa janë: paga minimale, zgjidhja për të falimentuarit, mbështetje për ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe bujqit, heqjen e taksës radiodifuzive. Kjo është pjesë e programit qeveritar që mund të realizohet në afat të shkurtë. Masat tjera të planifikuara të cilat qytetarët i presin do të inkorporohen në buxhetin e vitit 2018”,- deklaroi ministri i Financave, Dragan Tevdov.
Nga ana tjetër, opozita akuzoi se buxheti shkurtohet aty ku nuk duhet. Sipas tyre, riorganizimi i arkës shtetërore do ta ngadalësojë ekonominë e vendit.
“Ndryshimet të cilat parashikohen do të thonë buxhet jozhvillimor, joproduktiv, i cili do ta ngadalësojë zhvillimin, të mos them se do ta stagnojë ekonominë, por shumë afër stagnimit të plotë do të çojë. Ky buxhet është karakteristik për sa i përket asaj se ndryshim më të madh ka në shkurtimin e shpenzimeve kapitale, ndryshime ka në pjesën e rritjes së projeksionit për hua nga Maqedonia për 148 milionë euro më shumë dhe rrit mjetet për paga shërbime kotraktuale, kompensime, mëditje dhe udhëtime për së paku 300 milion denarë në më së paku 16 kolona buxhetore”,- theksoi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Deficiti buxhetor është i projektuar në 18.57 miliardë denarë, apo në vlerë relative prej 2.9% nga BPV. Të ardhurat e përgjithshme janë rishikuar në rënie me 1.5 për qind, përkatësisht 2.87 miliardë denarë.
Ndërkohë, shpenzimet e destinuara për mallra dhe shërbime janë shkurtuar për rreth dy miliardë denarë në krahasim me projeksionin fillestar, ndërsa mjetet për shërbimet e kontraktuara janë ulur për më shumë që 902 milionë denarë. (Naim Ramadani, TVM2)
