DShM: Zjarre aktive në Makedonski Brod, angazhohet ARM

01.08.2017 18:24

Zjarri në fshatin Trebovle dhe në Nova Breznica të Makedonski Brodit....

Zjarri në fshatin Trebovle dhe në Nova Breznica të Makedonski Brodit vazhdon të jetë ende aktive dhe sipas Drejtorisë për Mbrojte dhe Shpëtim janë zjarre të rrezikshme.

Zjarre aktive ka edhe në Katllanovë dhe Gjorçe Petrov, por ato janë nën kontroll. Deri më tani nga Drejtoria për Mbrojte dhe Shpëtim kanë intervenuar me forca tokësore dhe me aeroplan për të mos u përhapur zjarri. Gjithashtu nga kjo drejtori  thonë se deri më tani kanë intervenuar në 360 zjarre ku janë djegur rreth 590 hektarë pyje. Në fshatin Trebovle janë djegur 300 hektarë, ndërsa në shuarjen e zjarrit kanë intervenuar rreth 80 pjesëtarë të Drejtorisë për Mbrojte dhe Shpëtim, 20 pjesëtarë të Pyjeve të Maqedonisë, dhjetëra nga pushteti lokal dhe 60 pjesëtarë të Armatës së Republikës së Maqedonisë.

“Për momentin kemi zjarre aktive në Shkup dhe Makedonski Brod. në Shkup i kemi zjarret aktive, në Nova Brezica, Katllanovë, Gjorçe Petrov dhe në Çiflik. Zjarri më i rrezikshëm ka qenë i Nova Brezicës, i cili ka qenë shumë afër shtëpive të këtij fshati, zjarr që ka paraqitur rrezik për t’u përhapur në parkun nacional Jasen. Punohet për parkun nacional Jasen dhe të antenave të Telekomit që janë ande. Zjarri më aktiv dhe më problematik gjatë kësaj periudhe ka qenë zjarri në Terbovle të komunës në Makedonski Brod”,- deklaroi zëvendësdrejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ekrem Zendeli.

Drejtori për Mbrojte dhe Shpëtim, Shaban Saliu, thotë se zjarri është shkaktuar nga faktori njeri, sepse në vende të pyllit janë vërejtur përgatitje të drunjve për zjarr. Ndihmë me helikopter për gjuajtje të ujit është ofruar edhe nga shteti fqinjë, Bullgaria.

Për zjarret debatoi edhe Qeveria, e cila për shuarjen e zjarreve ka angazhuar edhe ARM-në. Për shkak të zjarreve, është thirrur Komiteti drejtues për koordinim dhe menaxhim në sistemin për menaxhim me kriza, në të cilin janë të anëtarësuar ministrat qeveritarë për Mbrojtje, Punë të Brendshme, Transport dhe Lidhje dhe Shëndetësi, si dhe drejtori i DMSh-së. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)