Mogerini, Hani dhe Gabrieli, përshëndesin marrëveshjen, Maqedoni - Bullgari
Bashkimi Europian ka përshëndetur nënshkrimin e Marrëveshjes dypalëshe....

Bashkimi Europian ka përshëndetur nënshkrimin e Marrëveshjes dypalëshe për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, theksojnë në deklaratën e përbashkët përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, dhe eurokomisari për negociata dhe zgjerim, Johannes Hahn.
“Kjo marrëveshje e tregon vendosmërinë e dy palëve për tejkalim të çështjeve dypalëshe dhe paraqet inspirim për të gjithë rajonin. Ai është hap pozitiv përpara në marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe e përforcon perspektivën e BE-së të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë në interes të qytetarëve të saj”,- thuhet në deklaratën e përbashkët të Hahnit dhe Mogherinit.
Edhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Zigmar Gabriel, e përshëndeti marrëveshjen Maqedoni-Bullgari, duke theksuar se:
“Pas shumë viteve negociata të pasuksesshme, u gjet zgjidhje konsensuale për çështjet e hapura. Vlen të theksohet se ky nënshkrim u mundësua të zbatohet për më pak se dy muaj nga inaugurimi i Qeverisë së Maqedonisë. Jam i bindur se Qeveria e re në Shkup do të vazhdojë ta zbatojë këtë lloj të bashkëpunimit konstruktiv në mënyrë konsekuente me të gjithë fqinjët”,- ka theksuar Gabriel.
Ai njëherit i përshëndeti përpjekjet e Qeverisë së re, që pas ngecjes shumëvjeçare, më në fund t`i nisë reformat e nevojshme për afrim me BE-në. Edhe ministri britanez për Evropën, Alan Duncan, përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes Maqedoni - Bullgari.
“Përshëndes nënshkrimin e kësaj marrëveshje ndërmjet dy shteteve fqinje si hap konkret në drejtimin e duhur, duke përkujtuar se marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë janë kyçe për stabilitetin rajonal”,- thuhet në deklaratën e ministrit Duncan.
Mbretëria e Bashkuar shpreh përkrahjen e saj të plotë ndaj Qeverisë së re të Maqedonisë në implementimin e reformave të domosdoshme për ripërtëritje dhe përmirësim të marrëdhënieve ndërfqinjësore, si element i rëndësishëm në proceset e integrimit të shtetit në strukturat euroatlantike, theksoi Duncan. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
