Ndryshimet kadrovike në IShP, Taravari: U emëruan katër drejtorë të rinj

01.08.2017 19:59

Vazhdojnë ndryshimet kadrovike në institucionet publike shëndetësore....

Vazhdojnë ndryshimet kadrovike në institucionet publike shëndetësore. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, publikoi emrat e  katër drejtorëve të rinj të spitaleve të vendit, duke theksuar se do ndërrohen edhe drejtorët e tjerë, por nuk do të shpejtohet me emërimin e tyre. Me rëndësi është që të zgjidhen drejtorë profesionalë.

“Sot janë emëruar katër drejtorë të rinj, edhe atë në Spitalin e përgjithshëm të Prilepit drejtor i ri është dr. Ilija Jovanovski, në Spitalin e përgjithshëm – Strumicë, Naqe Gogov, në Spitalin special për sëmundje të mushkërive në Leshokë të Tetovës, dr. Ismail Vahid, dhe u përcaktua edhe përgjegjësi i Repartit të ortopedisë, Viktor Kamnar”,- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.

Sipas ministrit Taravari, drejtorë shqiptarë në institucionet shëndetësore publike të vendit sigurisht do jenë mbi 25 për qind. Emrat e drejtorëve të rinj pritet të publikohen ditëve në vijim.

Për shkarkimin e drejtorëve aktualë dhe emërimin e drejtorëve të rinj është diskutuar edhe në mbledhjen e fundit të qeverisë. (Sevdije Metaj, TVM2)