Marrëveshja me Bullgarinë, VMRO-DPMNE: Mungoi transparenca, fton qytetarët të mos marrin pjesë në manifestimet e 2 gushtit

01.08.2017 20:14

VMRO – DPMNE-ja opozitare ka kritikuar LSDM-në për Marrëveshjen me Bullgarinë....

VMRO – DPMNE-ja opozitare ka kritikuar LSDM-në për Marrëveshjen me Bullgarinë. Sipas partisë së Nikolla Gruevskit, me këtë marrëveshje po bëhet manipulim me opinionin, pasi nuk ka mbështetje nga qytetarët dhe ekspertët dhe nuk është në interes të Maqedonisë.

“Në vend të premtimeve parazgjedhore për debat dhe transparencë, LSD e tregoi fytyrën e vërtetë dhe nuk lejoi debat publik për marrëveshjen në Kuvend dhe nuk i mori parasysh vërejtjet dhe propozimet konstruktive, të argumentuara e qëllimmira të VMRO-DPMNE-së për përmirësimin e tekstit të marrëveshjes”,- thuhet në kumtesën e opozitës. Po ashtu VMRO-DPMNE konteston edhe pjesën e marrëveshjes që dy vendet të festojnë bashkërisht Ilindenin, prandaj i ftoi anëtarët e saj të mos marrin pjesë në manifestimet e nesërme për shënimin e 2 gushtit, që organizohet nga Qeveria, me qëllim që, siç thuhet, t´i shmangen incidenteve eventuale.

“U bëjmë thirrje të gjithë simpatizantëve, anëtarëve tanë partiakë dhe qytetarëve që vlerësojnë se kjo porosi është adekuate, të përmbahen nga dhënia e legjitimitetit të manifestimeve të organizuara nga Lidhja Social Demokrate dhe BDI. Vlerësojmë se me këto vendime që e irritojnë popullin, si vendimi i zotëri Xhaferit, le të drejtohen këtu në Meckin Kamen, të krijohen disa kushte apo dikush të mendojë disa incidente të qëllimshme të cilat mund të rrënojnë nderin dhe krenarinë e Ilindenit si një festë çliruese e Maqedonisë”,- deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Lidhja Social Demokrate po shënon ndarje në shoqëri, ndërsa qytetarët nuk pajtohen me politikat e tyre ofenduese dhe nënçmuese ndaj popullit dhe për këtë u pason shumë shpejt përgjegjësi politike, thuhet më tej në kumtesën e VMRO-DPMNE-së. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)