SHBA zbut tonet me Korenë e Veriut, Tillerson: Ne nuk jemi armiku juaj
Amerika nuk kërkon ndryshimin e regjimit në Korenë e Veriut....

Amerika nuk kërkon ndryshimin e regjimit në Korenë e Veriut. Kjo ishte deklarata e Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, mes tensioneve në rritje mbi programin e armëve bërthamore dhe atë të raketave të Penianit.
“Ne nuk jemi armiku juaj”, tha Rex Tillerson, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara kërkojnë të dialogojnë.
“Ne nuk jemi armiku juaj, as nuk duam t’iu kërcënojmë. Por ju realisht përfaqësoni një kërcënim të papranueshëm për ne, ndaj dhe na duhet të përgjigjemi.Ne nuk do të kërkojmë ndryshimin e regjimit dhe as rrëzimin e tij. Nuk do të kërkojmë përshpejtimin e ribashkimit të gadishullit. Nuk po kërkojmë as ndonjë justifikim për të dërguar ushtrinë tonë në veri të paraleles 38” – tha Sekretar amerikan i Shtetit, Rex Tillerson.
Presidenti Trump ka kritikuar vazhdimisht Kinën, e cila ndan kufij tokësorë me Korenë e Veriut, se nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndalur programin e armatimeve të Penianit. Gjithsesi, Tillerson pati një sjellje më diplomatike, duke thënë se “për këtë situatë, vetëm koreano-veriorët duhen fajësuar”.
“Ne besojmë se Kina ka një marrëdhënie speciale dhe unike për shkak të aktiviteteve domethënëse ekonomike, për të ndikuar te regjimi i Koresë së Veriut në mënyra që askush tjetër nuk mund ta bëjë” – u shpreh Sekretar amerikan i Shtetit, Rex Tillerson.
Peniani pretendoi pas testit të fundit se, raketa mund të godiste edhe brigjet perëndimore të Shteteve të Bashkuara.
Testi i dytë i një rakete balistike ndërkontinentale i së premtes, i mbikëqyrur dhe lëvduar nga kreu i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ishte testi i fundit që zhvillohej në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. (Lumturije Hajro, TVM2)
