Analizat nga stanet në Simnicë, AUV: Delet kishin viruset Krimska-Kongo dhe Kju

02.08.2017 13:44

Rezultatet e marra nga mostrat e gjakut të deleve nga stanet e fshatit Simnicë....

Rezultatet e marra nga mostrat e gjakut të deleve nga stanet e  fshatit Simnicë të Gostivarit kanë konfirmuar praninë e virusit të etheve hemoragjike Krimska - Kongo dhe etheve Kjy, thonë nga Agjencia për  ushqim dhe veterinari, pas marrjes së rezultateve nga Fakulteti i veterinarisë.

Këto janë sëmundje që barten përmes insekteve dhe mund të infektojnë njerëzit dhe kafshët, thonë nga AUV.

Ende nuk ka rezultate nga mostrat e marra nga qumështi, djathi dhe uji nga stanet. Agjencia thotë se mbeten ende në fuqi masat parandaluese, gjegjësisht ndalesë e lëvizjeve të kopeve nga stanet, obligim i patjetërsueshëm i paraqitjes tek kompetentët të çdo kafshe që shfaq shenja sëmundjeje apo kafshëve të ngordhura. Nga AUV thonë se virusi bartet përmes insekteve, gjegjësisht përmes kafshimit të rriqrave ose nga kafshët e sëmura, me konsumimin e mishit apo bulmetit.

Tek njerëzit sëmundja manifestohet me ethe, dhembje të muskujve, kokdhembje, të vjella, diare dhe gjakosje në lëkurë.

Agjencia për ushqim dhe veterinari rekomandon që për të parandaluar përhapjen e viruseve duhet mbajtur higjienë maksimale në stane, ventilim të hapësirave ku janë kafshët, vendosje të rrjetave për t’u mbrojtur nga insektet, punonjësit që kanë kontakt me kafshët të mbajnë veshje mbrojtëse dhe qytetarët të mos e konsumojnë qumështin pa e vluar më parë. (Lumturije Hajro, TVM2)