Maqedoni
Xhaferi: krizat nuk e dëmtuan bashkëjetesën
02.08.2017 15:46
Në manifestimin kryesor në Krushevë me rastin e shënimit të 114 vjetorit të kryengritjes së Ilindenit, kryeparlamentari, Talat Xhaferi...

Në manifestimin kryesor në Krushevë me rastin e shënimit të 114 vjetorit të kryengritjes së Ilindenit, kryeparlamentari, Talat Xhaferi, përkujtoi se të gjitha etnitetet që jetojnë në Maqedoni kanë një atdhe të përbashkët dhe kanë obligim ta ruajnë atë për gjeneratat e ardhshme.
Ai përkujtoi se paraardhësit e të gjitha etniteteve luftuan për respektimin e të drejtave të njeriut dhe për një shoqëri multietnike.
“Dikush do të thotë se nga historia nuk jetohet dhe kjo është e saktë. Por, historia determinon të tashmen. Ky ka qenë motivimi dhe betimi i përbashkët i maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllehve dhe serbëve, të cilët luftuan për çlirim. Konstanta, e cila është pjesë e manifestit të Krushevës për pjesën multikulturore, është pjesë edhe e Kushtetutës së Maqedonisë. Ne kaluam kriza, por me rëndësi është që ato nuk e dëmtuan bashkëjetesën. Ne kemi një atdhe të përbashkët dhe duhet atë ta ruajmë për ne dhe gjeneratat e ardhshme”,- deklaroi kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi.
Xhaferi është optimist se vendi ka kapacitet të realizojë përcaktimin e qytetarëve për anëtarësim në strukturat euroatlantike.
“Kuvendi dhe administrata kanë kapacitet të realizojnë planin 3-6-9. Dua të besoj se kriza e fundit politike na ka mësuar se nuk duhet t’i përsërisim gabimet. Besoj se të gjithë ne ngadalë, por sigurt, i tejkaluam disa antagonizma për të cilat nuk ka më hapësirë në Maqedoni”,- u shpreh Xhaferi.
Nga Pelinca, ndërkohë, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koco Angjushev, apeloi që Maqedonia të ndërtohet si një shtet i të gjithë qytetarëve dhe etniteteve që jetojnë në të, një shtet ku sundon drejtësia për të gjithë.
“Qytetarët u përcaktuan për qëllimet strategjie të vendit, anëtarësimin në NATO dhe BE. Gjatë kohë ishim jashtë kësaj rruge, një pjesë e arsyeve ishin objektive, por disa probleme gjeneruan nga brenda. Duhet të krijojmë një shtet ku sundon e drejta, një shtet ku në burg nuk do të dergjen qytetarët për shkelje të vogla, por kriminelët dhe fajtorët e vërtetë, një shtet me prosperitet ekonomik të njëjtë për të gjithë qytetarët e tij”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
Gjatë festimeve, delegacionet shtetërore nderuan revolucionarët e kryengritjes së Ilindenit, ndërsa manifestimi në Krushevë pikë kulmore të tij kishte padyshim parakalimin e kalorësve me veshje tradicionale maqedonase të asaj kohe.
FLUTURA LATIFI
