Zona e përbashkët ekonomike rajonale, Merko në Tiranë prezanton modelin e RM-së
Prej sot deri të premten, në Tiranë do të qëndrojë ministri për Investime të Huaja, Ramiz Merko, i shoqëruar nga zëvendësdrejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, Asip Useini...

Prej sot deri të premten, në Tiranë do të qëndrojë ministri për Investime të Huaja, Ramiz Merko, i shoqëruar nga zëvendësdrejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, Asip Useini, edhe drejtuesi i Zyrës Ndërkombëtare “FM Consulting” , Fatos Mustafa.
Delegacioni nga Maqedonia do të takohet me zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar dhe përfaqësues të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe sipërmarrës të shumtë.
Kjo vizitë e rëndësishme zhvillohet në kuadër të krijimit të një zone të përbashkët ekonomike rajonale, të dalë nga Samiti i Triestes, e që do të shërbejë si një mundësi për qeverinë dhe biznesin shqiptar për t’u njohur me modelin e ri të të bërit biznes, si dhe me politikat lehtësuese që zbaton qeveria e Maqedonisë për përmirësimin e klimës së biznesit.
Delegacioni nga Maqedonia do të prezantojë modelin e ri të tërheqjes së investimeve të huaja, pjesë e të cilave janë edhe subvencionet që ofrohen për bizneset që operojnë në zonat zhvillimore teknologjike industriale, por edhe jashtë tyre. Qeveria në këto zona ofron një sërë lehtësirash, që përfshijnë edhe lirimin nga barra fiskale për një periudhë prej 10 vitesh.
Për Shqipërinë këto zona mund të shihen si modele suksesi që mund të krijojnë kushte për rritjen e konkurrencës së biznesit. Këto takime mes përfaqësuesve të dy qeverive dhe të biznesit janë shembulli më i mirë i bashkëpunimit mes dy vendeve për të forcuar pozitat e tyre, për të garantuar konkurrencë më të madhe dhe një klimë sa më të favorshme për sipërmarrësinë në të gjitha fushat me interes të përbashkët, si industria, turizmi etj.
GAZMEND KURTISHI
