Maqedoni

Ivanovi: anëtarësimi në BE dhe NATO kërkon viktimizim

02.08.2017 16:39

Në kuadër të shënimit të përvjetorit të Ilindenit, presidenti, Gjorge Ivanov, në fjalimin e tij para përmendores së kryetarit të parë të ASNOM-it, Metodija-Antonov-Çento..

Në kuadër të shënimit të përvjetorit të Ilindenit, presidenti, Gjorge Ivanov, në fjalimin e tij para përmendores së kryetarit të parë të ASNOM-it, Metodija-Antonov-Çento, porositi se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE kërkon viktimizim.
 
Për secilin viktimizim është i nevojshëm konsensus i gjerë nacional dhe shtetëror, por në asnjë mënyrë të mos viktimizohet identiteti, ka thënë Ivanov. Sipas tij, pa maqedonizëm, Maqedonia është vetëm formë pa përmbajtje, ndërsa populli maqedonas shndërrohet në masë amorfe, e cila mund të modelohet sipas dëshirave të të huajve.
 
Për shkak të identitetit, Maqedonisë i kontestohet e drejta e prosperitetit, tha presidenti Ivanov dhe shtoi se Maqedonisë i është bërë padrejtësi edhe pse se vendi i ka plotësuar të gjitha kriteret për fillimin e bisedimeve për anëtarësim BE dhe NATO.
 
“Për të krijuar kushte për prosperitet në botën globale duhet patjetër të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së. Pikërisht anëtarësimi i cili duhej të ndodhte deri tani do të na mundësonte të arrijmë lirinë e plotë. Fatkeqësisht në këtë rrugëtim ne si shtet jemi të shantazhuar. Asnjë shtet anëtar në rrugëtimin e tij nuk është përballur  me çështje për të cilat ne humbim çdo ditë, kohë, energji dhe durim. Nga asnjë vend tjetër anëtar nuk kërkohet ajo që kërkohet nga ne, mohimi i së drejtës për dinjitet njerëzor dhe vetëidentifikim”,- theksoi presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
 
Kreu i shtetit rikujtoi se qëllimi i ilindenasve ishte çlirimi nga robëria, ndërsa qëllimi i gjeneratës sonë është liria për prosperitet. 
 
“Së pari, duhet ta ruajmë kontinuitetin me Ilindenin e parë dhe të dytë, me manifestin e Krushevës për bashkëjetesë dhe dokumentet e ASNOM-it për shtetformësi. Së dyti, të luftojmë fashizmin e ri, ksenofobinë dhe urrejtjen, radikalizmin, ekstremizmin dhe terrorizmin. Të formojmë front të përbashkët maqedonas në të cilin do të ketë vend për të gjithë maqedonasit e ndershëm, shqiptarët, turqit, vllehtë, romët, serbët dhe boshnjakët, pavarësisht ideologjisë  dhe përkatësisë së tyre politike. T’i lëmë anësh fajësimet e ndërsjella dhe refanshizmin humbës. Të bashkohemi rreth interesave nacionale të Maqedonisë  sepse vetëm ashtu mund të ndërtojmë një Maqedoni evropiane”,- tha presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
 
Marrëveshjen  Maqedoni - Bullgari , Ivanovi e cilësoi si pasqyrë e kompromiseve për të ardhmen, ndërsa për kontestin greko-maqedonas tha se shpreson për një kompromis nga të dyja palët. Zgjidhja përfundimtare e çështjes së emrit është thelbësore për prosperitetin e të gjitha vendeve në rajon, tha Ivanovi. 
 
MERITA GASHI