Maqedoni

Marrëveshja me Bullgarinë, Ruzhin: marrëveshje me të gjithë fqinjët; Marrëveshja me Bullgarinë, Muhameti: po anashkalohet çështja shqiptare

02.08.2017 17:37

Nënshkrimi i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë shikohet nga këndvështrime të ndryshme nga njohësit e këtyre çështjeve...

Analisti, Nano Ruzhin, thotë se marrëveshje të tilla janë të mirëseardhura. Sipas tij, kur rajoni i Ballkanit perëndimor ka nevojë për avancimin e vazhdueshëm të besimit, solidaritetit dhe bashkëpunimit në funksion të integrimeve euroatlantike, secila Marrëveshje është e dëshiruar dhe për atë do të ishte mirë që e njëjta të bëhet edhe me fqinjët e tjerë.
 
“Do të ishte mirë që Marrëveshja e njëjtë të bëhet edhe me vendet tjera fqinje edhe pse në princip Maqedonia nuk ka probleme të hapura me Shqipërinë apo Kosovën. Me Bullgarinë kanë ekzistuar disa elemente që një kohë të gjatë historikisht i kanë ngarkuar të dyja vendet. Ishim rob të mitologjisë të disa ngjarjeve historike që dikush u mundua t’i kalojë në shekullin XXI. Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje është tejkaluar përgjithmonë një pengesë e rëndësishme dhe me këtë marrëveshje kontribuohet jo vetëm në marrëdhëniet bilateral të të dyja vendeve, por edhe stabilitetit rajonal dhe afrimin e Maqedonisë drejt integrimeve euroatlantike”,- deklaroi analisti politik, Nano Ruzhin.
 
Por, analisti, Nijazi Muhameti, vlerëson se me këtë marrëveshje qeveria ka anashkaluar çështjen shqiptare, duke vënë fokusin në një problem inekzistent në marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, duke e vënë këtë problem, madje edhe përpara problemit kryesorë e ka me Greqinë. 
 
“Çdo legjitimitet i kësaj Marrëveshje nga ana e përfaqësuesve shqiptarë, ashtu siç e kanë nisur ta miratojnë pa e lexuar, do të ishte jolegjitim për shqiptarët, sepse këto janë gjëra serioze dhe askush s’ka të drejtë në emër të një kombi të bëjë nënshkrime për transaksione pazaresh të tyre të cilat mund të fusin konfuzion edhe në politikën e jashtme të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit”,- u shpreh analisti, Nijazi Muhameti.
 
Muhameti pret debat të hapur dhe gjithëpërfshirës gjatë ratifikimit të Marrëveshjes, por thotë se shqiptarët  nuk kanë pse të bëhen palë mbështetëse për një marrëveshje për të cilën nuk ka konsensus brenda maqedonas, por duhen lënë dy partitë maqedonase të zgjidhin vetë problemet brenda tyre e shqiptarët duhet të fokusohen në çështjet që u tangojnë shqiptarëve. 
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI