Maqedoni

Samiti i kartës së Adriatikut, Pence: ShBA mbështet Ballkanin Perëndimor; Pence mesazh Rusisë: mjaft destabilizuat Ballkanin Perëndimor; Samiti i kartës së Adriatikut, Zaevi: me bashkëpunim, drejt BE-së dhe NATO-s

02.08.2017 17:49

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, e ka konfirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor...

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, e ka konfirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, duke u shprehur se e ardhmja është vetëm drejt Perëndimit.
 
Në Samitin e kartës së Adriatikut, që mbahet në Podgoricë, Pence ka deklaruar se të gjithë anëtarët e NATO-s janë njësoj të rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara. 
 
“Amerika ka ndihmuar në problemet tuaja, tani u mbetet të shfrytëzoni çdo mundësi. Punoni që të afroheni edhe më shumë mes vendeve tuaja dhe me Perëndimin! Mbyllini çështjet e papërfunduara në Ballkanin Perëndimor dhe përfundoni udhëtimin që ne nisëm bashkë shumë vite më parë”,- u shpreh zëvendëspresidenti i ShBA-ve, Mike Pence.
 
Nga Mali i Zi Pence i adresoi edhe një mesazh Rusisë, të cilën e akuzoi se ka punuar për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, për të dëmtuar demokracinë dhe për t’i ndarë vendet nga njëri-tjetri dhe nga pjesa tjetër e Europës.
 
“Rusia vazhdon përpjekjet për të ndryshuar kufijtë ndërkombëtarë me forcë. Presidenti Trump ia ka bërë të qartë Rusisë që të heqë dorë nga destabilizimi dhe unë mund t’iu siguroj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përjashtojnë çdo tentativë për të përdorur forcë, kërcënime apo frikësime në këtë rajon apo edhe përtej. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë të drejtë të zgjedhin të ardhmen e tyre dhe kjo është vetëm e drejta juaj”,- theksoi zëvendëspresidenti i ShBA-ve, Mike Pence.
 
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ishte i prerë se Maqedonia do të punojë intensivisht për bashkëpunim të mirë me vendet e rajonit dhe pret që Maqedonia të jetë vendi i 30 anëtar i NATO-s.
 
“Jemi të vetëdijshëm se rajoni, kjo pjesë e vogël e botës, është pjesë strategjike për sigurinë globale. Integrimi në NATO kërkon nga ne bashkëpunim, kërkon udhëheqje të pjekur politike, kërkon përgjegjësi për siguri rajonale dhe globale. Me prezencën tonë këtu, në Samitin e vendeve anëtare në Kartën e Adriatikut, ne themi po jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në interes të qytetarëve të shteteve tona dhe nëpërmjet procesit integrues ta dërgojmë rajonin në shtëpinë e vet, tek familja e madhe e NATO-s”,- u shpreh kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
 
Zëvendëspresidenti amerikan, Majk Pence, është takuar edhe me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe edhe me liderët e tjerë të rajonit.
 
GAZMEND REXHEPI