NBA

Miami barazon serin finale ndaj San Antonios

09.06.2014 12:55

Skuadra e Miamit mposhti në ” AT&T ” Qendrën, San Antonion duke barazuar në këtë mënyrë serinë në finalet e NBA……….

Skuadra e Miamit mposhti në ” AT&T ” Qendrën, San Antonion duke barazuar në këtë mënyrë serinë në finalet e NBA. Protagonisti kryesor për skuadrën e Spoelstras ishte ylli LeBron James me 35 pikët të realizuara.

Kësaj radhe në pallatin e sportit të San Antonios sistemi i kondicionimit funksionoi në mënyrë perfekte por ishte James që mendoi të rriste temperaturën në fushën e lojës falë një paraqitjeje fantastike.

Basketbollisti nga Ohio e udhëhoqi skuadrën e tij drejt një suksesi mjaft të rëndësishëm po të mendosh që Spursa-t kishin fituar 8 takime radhazi në fushën e tyre. Përballja mes dy finalistëve të sezonit ishte mjaft e ekuilibruar ku maksimumi i i shkëputjes ishte +11 për San Antonion gjatë periodës së dytë. Një takim që u zgjidh kur kishte mbetur vetëm një minutë lojë.

Chris Bosh u bë heroi i sekondave të fundit pas një tre-pikshi të shënuar i cili i dha avantazhin përfundimtar Miamit.

Në fund gjithçka u mbyll me fitoren e ngushtë të skuadrës nga Florida 98-96.Lojtari më i mirë i këtij takimi ishte pa diskutim LeBron James i cili ju përgjigj më së miri kritikave të mara pas takimit të parë ku u detyrua të ulej në stol për shkak të problemeve muskulare.

Një ndihmë vendimtare skuadrës nga Florida ja dhanë edhe Chris Bosh e Dwayne Wade. Të pa mjaftueshëm për San Antonion rezultuan 21 pikët e Tony Parker dhe 18 pikët e Tim Duncan.

Përballja e 3-të e kësaj serie do të zhvillohet të martën në ” American Airlines” të Miamit.