Testimi ekstern vazhdon me një varg gabimesh
Për të gjitha vërejtjet do të parashtrohen ankesa, pasi që ky test ishte i stërmbushur me gabime të natyrave të ndryshme, thonë arsimtarët..........

Nesër do të përfundojë procesi i testimit ekstern i nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme. Përgjithësisht reagimet për testimin ekstern kanë qenë negative dhe për këtë janë dhënë mendime dhe argumente relevante.
Për të gjitha vërejtjet do të parashtrohen ankesa, pasi që ky test ishte i stërmbushur me gabime të natyrave të ndryshme, thonë arsimtarët.
“Ka pas disa parregullsi të cilat ne i kemi dorëzuar te administratori, i cili pastaj ia ka dhënë raportin në mënyrë elektronike edhe inspektorëve me mail”, deklaroi drejtori i shkollës fillore “Ismail Qemali”, Kadri Agushi.
“Ka pasur disa pyetje për të cilat nuk ka pasur tabela, ka pasur disa pyetje gabim në matematikë, informatikë, në gjuhë shqipe, të cilat i kemi vërejt dhe i kemi dorëzuar te MASH-i në mailin rasporedi”, theksoi arsimtarja Nerimane Selimi.
Ankesat e nxënësve kanë të bëjnë kryesisht me paqartësitë rreth parashtrimit të pyetjeve, gabimeve në përkthim, pyetjeve që nuk i përfshin materiali i mësuar dhe pyetje të palogjikshme.
“Librin e vizatimit nuk e kemi pas, por edhe pyetje që nuk i kemi mësuar, pyetje të paqarta dhe është e padrejtë që neve të vlerësohemi për to”, u shpreh një nxënës.
“Unë jam testuar në lëndën e historisë dhe aty ka pasur një pyetje dhe ishte Ameriko-Vespuçi e ka zbuluar dhe nuk ishte e logjikshme kjo pyetje”, potencoi një nxënës tjetër.
“Në matematikë nuk ka pasur shumë pyetje të paqarta, kanë qenë të qarta, por është dashur shumë kohë për t’i zgjidhur”, - tha një nxënëse.
Rezultatet nga testimi do të publikohen në etapa, ndërsa përparësi gjatë dhënies së provimit edhe gjatë marrjes së rezultateve do të kenë nxënësit e klasave të 8-ta, për shkak të regjistrimeve nëpër shkollat e mesme. (Flutura Latifi, TVM2)
