Maqedoni

Dritë jeshile ligji për gjuhët, avancohet përdorimi i gjuhës shqipe

05.08.2017 14:08

Qeveria miratoi propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve, që është pjesë e marrëveshjes mes partnerëve të koalicionit qeveritar...

Qeveria miratoi  propozim ligjin për përdorimin e  gjuhëve, që është  pjesë e marrëveshjes mes partnerëve të koalicionit qeveritar, që del nga harmonizimi i programit kombëtar  me rezolutat e Bashkimit Evropian,.
 
Sapo ligji të miratohet në kuvend, ministria e drejtësisë, përmes ministrisë për punë të jashtme, do të dorëzojë ligjin dhe cështjet ende të hapura që nuk janë pjesë e tij, në Komisonin e Venecias , prej të cilit do të kërkojë mendim për paketën e zgjidhjeve ligjore.
 
Sipas këtij propozim- ligji: 
(1) Në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare,  gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik.
 
(2) Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve (gjuhë shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në përputhshmëri me këtë ligj.
 
(3) Në të gjitha organet e pushtetit shtetërorë në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizata dhe ente, komisione, persona juridik që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucione tjera, gjuhë zyrtare përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj është edhe alfabeti dhe gjuha që flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, në mënyrën e përcaktuar me këtë ligj.
 
Gjuha shqipe dhe alfabeti i saj do të përdoret edhe në seancat e qeverisë, komisionet si dhe kolegiumet gjenerale , kur me to udhëheq një funksionar shqiptar. Gjithashtu edhe dokumentacioni I përdorur në materialet e punës,  do të mund të jetë edhe në shqip për funksionarët shqiptarë, bashkë me stenogramet dhe materialet e dokumentacionin tjetër që kalon përmes arkivit.
 
Të gjitha aktet e miratuara nga ana e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë jepen dhe shpallen në gjuhë maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve në RM dhe alfabetin e saj, thuhet në pikën 7 të nenit 5 të propozim ligjit. 
 
Propozim ligji parasheh që banknotat  dhe pullat postale,  të përmbajnë simbole që janë të rëndësishme për popujt maqedonas dhe shqiptarë por jo edhe përdorimin e shqipes.
 
Në këtë pjesë të Propozim ligjit qëndron: ‘Kartëmonedhat dhe monedhat si dhe pullat postale,  do të përmbajnë simbole që përfaqësojnë trashëgimi kulturore për qytetarët të cilët flasin gjuhën  maqedonase dhe e përdorin alfabetin e saj cirilik dhe gjuhën të cilën e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të RM-së dhe alfabetin e saj’.  
 
Në versionin e miratuar parashihet dygjuhësi në uniformat e policisë, zjarrfikësve dhe të punësuarve në sektorin e shëndetësisë në komunat me mbi 20 për qind banorë shqiptarë, si dhe në Bashkinë e Shkupit.
Në tekstin e ligjit thuhet: ‘Uniformat e policisë, zjarrfikësve dhe punonjësve të shëndetësisë, në Shkup dhe në komunat në të cilat 20 për qind e banorëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase,  janë të shkruara në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën të cilën e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe në alfabetin e saj’.  
 
Për dygjuhësinë në uniformat e Armatës, do të pritet mendim nga Komisioni i Venecias.
 
MIGENA GORENCA