Temperaturat kapin majat, dy viktima nga i nxehti në Europë
I nxehti afrikan që ka përfshirë Euopën ka shënuar edhe dy viktimat e para zyrtare, një në Rumani dhe një në Poloni...

I nxehti afrikan që ka përfshirë Euopën ka shënuar edhe dy viktimat e para zyrtare, një në Rumani dhe një në Poloni, të shumtë janë ata që janë dërguar në spital me probleme të shkaktuara nga moti ekstrem.
Temperaturat e larta dhe moti ekstrem mund të vrasë 152 mijë njerëz çdo vit në Evropë deri në vitin 2100 nëse nuk bëhet asgjë për të ngadalësuar efektet e ndryshimeve klimatike, thonë shkencëtarët. Kjo shifër është 50 herë më e lartë se numri i vdekjeve të raportuara deri më tani.
Studimi është publikuar në revistën “The Lancet Planetary Health”.Vala e të nxehtit do të shkaktojë 99% të të gjitha vdekjeve që lidhen me motin.
Ekspertët thonë se të dhënat e publikuara nga revista janë tepër shqetësuese.Nëse nuk bëhet asgjë për të ulur emerimet e gazrave serrë dhe për të përmirësuar politikat që lidhen me fenomenet e motit, Qendra e Përbashkët e Kërkimit e Komisionit Europian, thotë se 2 në 3 persona në Evropë do të preken nga fatkeqësitë natyrore deri në vitin 2100, do të ketë rritje të numri të vdekjeve nga moti ekstrem si dhe nga përmbytjet bregdetare.
Paralajmërimet për rrezikun që i nxehti paraqet për shëndetin janë në fuqi, në ato pjesë të Europës ku temperaturat kanë arritur nivele potencialisht të rrezikshme dhe Italia e Ballkani janë prekur më rëndë, me zonat që shtrihen deri në Poloni në veri, që janë ekspozuar ndaj temperaturave si jo zakonisht të larta. Moti I nxehtë ka shtuar edhe zjarret.
Zjarrfikësit në Shqipëri, Serbi, Bosnje, Maqedoni dhe Kroaci janë ekstremisht të zënë. Temperaturat e larta pritet të vazhdojnë në pjesë të Europës Qendrore dhe Ballkan edhe në ditët e ardhshme, ndërkohë që ekspertët thonë se vala e të nxehtit do të zgjasë të paktën deri të hënën.
Temperaturat përvëluese në Itali kanë shkaktuar vatra të shumta zjarri dhe dhjetëra qytete e fshatra janë në gatishmëri maksimale.
Vala e të nxehtit ka bërë që disa rajone në vend të përballen edhe me thatësira të mëdha.Italia, po përjeton aktualisht temperatura 10 gradë Celsius më të larta nga mesatarja e kësaj periudhe të vitit dhe njerëzve u është kërkuar nga autoritetet të qëndrojnë në shtëpi dhe të pijnë shumë ujë.
MIGENA GORENCA
