Botë
Uashingtoni i shpall luftë informatorëve, Sessions: Liria e shtypit, nuk është e pakufishme
05.08.2017 14:49
Qeveria amerikane u shpall luftë të ashpër informatorëve. Prokurori I Përgjithshëm, Jeff Sessions, u tha gazetarëve në Uashington...

Qeveria amerikane u shpall luftë të ashpër informatorëve. Prokurori I Përgjithshëm, Jeff Sessions, u tha gazetarëve në Uashington, se do t’i kundërvihet më me ashpërsi rrjedhjes së informatave konfidenciale të qeverisë.
“Numri marramendës i informacioneve të rrjedhura minon aftësitë e qeverisë për të mbrojtur vendin tonë. Ne e respektojmë rolin e shtypit, por liria e shtypit nuk është e pakufishme“, tha Sessions.
“Që nga janari, Departamenti ka trefishuar numrin e hetimeve aktive për rrjedhje informacioni dhe aktualisht kemi akuzuar 4 persona për zbulim të materialeve të klasifikuara apo kontakte me zyrtarë të shërbimeve të huaja të zbulimit. Ndaj sot unë kam një mesazh për komunitetin e inteligjencës: Departamenti i Drejtësisë është i hapur për biznes dhe i paralajmëroj të gjithë ata që mund të tentohen të zbulojnë informacione të klasifikuara: mos e bëni!”, shprehet kryeprokurori i SHBA-ve, Jeff Sessions.
Drejtori i Shërbimit Sekret Kombëtar, Dan Coats shtoi: “Në qoftë se shtypi publikon informata konfidenciale të papërshtatshme, ne do t’i gjejmë ata që e bëjnë këtë.” Që pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re të SHBA-së numri i hetimeve zyrtare në rastet e rrjedhjes së informacioneve sekrete është trefishuar.
Presidenti Donald Trump është ankuar muajt e fundit në mënyrë të përsëritur për faktin që në media janë cituar pjesë nga takimet e tij konfidenciale, nga telefonatat dhe nga dokumentet e brendshme.
Pothuajse për ditë dalin në publik informacione konfidenciale, të dhëna, detaje personale ose përmbajtje bisedash telefonike. Presidenti Trump e ka kritikuar shpesh punën e mediave dhe praktikën e tyre për t’u mbështetur në burime anonome.
MIGENA GORENCA
