Maqedoni
Zaev: Avancuam përdorimin e gjuhëve për bashkësitë; Lika: Ligji, një hap më pranë bërjes së shtetit
05.08.2017 17:32
Kryeministri, Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministri, Hazbi Lika nga Ohri dhanë vlerësimet e tyre për propozim ligjin e gjuhëve...

Për kryeministrin Zaev, ligji është në përputhje me Kushtetutën dhe zgjeron përdorimin e gjuhës zyrtare që e flasin së paku 20 % e qytetarëve.
“Me ligjin për përdorimin e gjuhëve kemi avancuar përdorimin e gjuhëve për gjithë bashkësitë, të gjithë avancimet në këtë ligj janë në bazë të nenit 5 të Kushtetutës. Pakon e kemi dorëzuar për miratim në parlament e pasiqë të miratohet do e dërgojmë në Komisionin e Venecias. Me këtë ligj do të zgjerohet përdorimi i gjuhës zyrtare që e flasin më së paku 20% të qytetarëve që dmth nëpër institucione qytetarët do të flasin në gjuhën e tyre", shprehet kryeministri Zoran Zaev.
Zëvendëskryeministri për sistem politik dhe mardhënie mes bashkësive, Hazbi Lika , tha se propozimi është një hap shumë i madh drejta arritjes së objektivit kryesore, integrimit evropian të vendit. Tani sipas Likës vjen pjesa tjetër e rëndësishme, implementimi I ligjit.
“Uroj gjithë qytetarët e RM-së, posaçërisht shqiptarët të cilët do kenë një ligj të mirë i cili do i plotësojë nevojat e tyre sidomos në aspektin administrativ dhe në nivele tjera më të larta. .. Qytetarët e RM-së sot janë një hap shumë më përpara drejt realizimit të bërjes së shtetit, poashtu jemi më përpara edhe drejt realizimit të objektivave tona për sa i përket çështjeve integruese ... Ky ligj i përmbush të gjitha nevojat e qytetarëve të RM-së, duke mos u entuziaziazmuar shumë, sepse ka shumë punë kundrejt implementimit të këtij ligji i cili kërkon një kontribut mjaft serioz dhe hap të madh që të punojmë në drejtim që njerëzit konkretisht ta kenë sa më pranë vetes dhe sa më shumë të realizojnë interesat e tyre në gjuhën e vet”, shprehet zëv/kryeministri Hazbi Lika.
Lika pret që deputetët të reflektojnë dhe parlamenti ta votojë ligjin sepse sic tha, me këtë propozim qeveria është përpjekur që në të gjithë aspektet të mbrojë dokumentet kryesore të shtetit e poashtu të gjejë mënyrën e realizimit të këtij ligji në atë mënyrë që çdo qytetar i RM-së të realizojë nevojat e veta.
Zv kryeministri Lika ka falenderuar të gjithë ata që kontribuan në në miratimin e propozim ligjit për gjuhët, me theks të vecantë kryeministrin Zaev për guximin dhe vullnetin që tu mundësojë gjithë qytetarëve të gjejnë veten në këtë ligj.
FLUTURA LATIFI
