Botë

OKB, sanksione të reja Koresë së Veriut, Kina: Koreja e Veriut , të ndalë testet bërthamore

06.08.2017 13:00

Korea e Veriut do të përballet me sanksione të reja. Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka miratuar me shumicë votash masat e reja...

Korea e Veriut do të përballet me sanksione të reja. Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka miratuar me shumicë votash masat e reja që synojnë të godasin ekonominë e shtetit komunist.
 
Vetëm pak orë pasi sanksionet u rakorduan nga Këshilli i Sigurimit , Kina I kërkoi Penianit, t’u japë fund testeve bërthamore dhe atyre raketore . Kryediplomati kinez Ëang Yi , njëkohësisht u bëri thirrje edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë së Jugut që të mos rrisin më tej tenksionet, duke thënë se situata ndodhej “në pikën kritike”, ndoshta çasti perfekt për të rifilluar bisedimet.
 
Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley kishte thënë më herët se Koreja e Veriut po përballet “me setin më të fortë të sanksioneve që u janë vënë ndonjëherë një vendi”.
 
Kina, aleati kryesor ndërkombëtar i Veriut komunist dhe një anëtar me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, votoi në favor të rezolutës pas negociatave me Shtetet e Bashkuara, të cilat Nikki Haley i cilësoi si “tejet të vështira”.
 
Kjo, sepse Pekini e ka mbrojtur shpesh në të kaluarën Penianin nga rezolutat e dëmshme. Edhe Rusia, që është kritikuar nga SHBA për lidhjet ekonomike me Korenë e Veriut, votoi në favor të sanksioneve.Peniani ka testuar dy raketa balistike ndërkontinentale në muajin korrik, duke petenduar se tashmë ka kapacitetet dhe aftësitë e nevojshme për të goditur Shtetet e Bashkuara.
 
Gjithsesi, ekspertët dyshojnë ende se raketat e vendit komunist mund të godasin në shenjë objektivat e tyre.
 
Testet janë dënuar nga Koreja e Jugut, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, e nxitën hartimin e sanksioneve të reja të OKB-së. Rezoluta, e hartuar si ndëshkim ndaj programit raketor të Penianit, ndalon eskportet dhe kufizon investimet në vendin e izoluar aziatik. 1 miliard dollarë në vit pritet t’i zbriten bilancit tregtar koreano-verior nga këto sanksione.
 
MIGENA GORENCA