Maqedoni

Kumanovë, qytetarët në hall me vapën

06.08.2017 15:15

Si në mbarë rajonin, edhe Kumanova me rrethinë këto ditë verore po përballen me temperatura ekstreme tropikale dhe vapë të madhe.

Në rrethana të këtilla kumanovarët memzi se ia dalin të gjejnë freskinë. Por, gjithsesi këto ditë më të vizituara janë agjencionet turistike ku kërkohen aranzhmane për ndonjë pikë turistike sa për tiu shmangur vapës së madhe.
 
“Normalisht që koha e nxehtë , faktikisht temperaturat e larta ndikojnë jashëzakonisht tepër, sepse çdokush dëshiron të shkojë në pushime verore. Çdokush dëshiron të udhëtojë kryesisht në bregdetin shqiptar, Mal të zi , Turqi sidomos në Antali“, shprehet Nurane Emini nga agjencia turistike.
 
Por,  jo të gjithë e kanë atë luks që tia mësyejnë qendrave të njohura turistike në vend dhe jashtë tij. Pjesa dërmuese e kumanovarëve  gjenden ashtu si munden :
 
“Çtë them, nxehtë. Katastrofë. Freskinë po e gjejmë në restorane“...
 
“Shumë nxehtë. Këtu kam ardh nga Zvicrra në pushime. Freskin po e kërkojmë në dhoma të ftohta e bodrume, kurse në veturë me klimë”...
 
“Po ia dalim me vështirësi. Probleme me shëndetin, frymëmarrjen“, shprehen qytetaret.
 
Ndërkaq më së vështiri e kanë pazarxhinjët të cilët pavarsisht vapës së madhe , kafshatën e bukës e sigurojnë në tregun e qytetit:
 
“Ska të flladitur, vetëm zheg. Punojmë nga 12-13 orë në treg. Askush nuk të pyet a ke vap’...
 
“Lere sa nxeht, kjo është prej Allahut, por problem kemi edhe me nxehtin tjetër, që shkaktohet nga mbuloja e tregut që është prej llamarine“, shprehen qytetaret.
 
Pjesa më e madhe freskinë e gjejnë në vendet turistike lokale si tek Banja e Kumanovës e sidomos tek Liqenet artificiale të Likovës dhe Gllazhnjës në një ambient të rrallë pitoresk.
 
Ndërkaq si duket ky vogëlush e ka gjetur mënyrën më të mirë për tu freskuar. 
 
NEXHAT AQIFI