KOSOVË

PDK fiton shumicën e votave

09.06.2014 15:58

Partia Demokratike e Kosovës është fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 8 qershor në Republikën e Kosovës........

Partia Demokratike e Kosovës është fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 8 qershor në Republikën e Kosovës.

Ndonëse në një konkurrencë më të ashpër me partitë opozitare, duket se mungesa e një fronti opozitar dhe garimi i opozitës si parti veç e veç, e ka ndihmuar PDK-në e Hashim Thaçit që sërish t'i fitojë zgjedhjet parlamentare, duke marrë kështu edhe rastin për formimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës.

Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, në një fjalim para simpatizantëve të PDK-së, mbrëmë  ka shpallur fitoren e kësaj partie. Ai tha se këtë e ka vlerësuar si një fitore të përbashkët dhe i ka uruar qytetarët për zgjedhje të standardeve evropiane.

“Kosova duhet të jetë krenare me këto zgjedhje, Kosova është krenare, ishin zgjedhje që u përqendruan në qytetarët tanë, ishin zgjedhje të cilat qytetarët kanë vendosur për modelin e shtetit dhe në të cilën ata dëshirojnë të jetojnë. Ishin zgjedhje pozitive dhe korrekte, fer dhe të lira e demokratike ”, -  deklaroi kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.

Nga më shumë se 94% të votave që janë numëruar nga KQZ-ja, 31.24 % e tyre shkojnë për PDK-në. Pas saj vjen LDK-ja me 26.12%. "Vetëvendosja" 13.73%. Pason AAK-ja me 9.65%. “Nisma për Kosovën” është ajo që sipas votave të numëruara deri më tani, e kalon pragun me 5.36% të votave. E ajo që duket se nuk do ta kalon pragun është AKR-ja me 4.72%.

Ndërkohë misioni i OSBE-së në Kosovë ka përmbyllur me sukses operacionin e saj në veri të Kosovës në mbështetje të zgjedhjeve parlamentare. OSBE-ja njofton se ka angazhuar 150 pjesëtarë për t’u ofruar Këshillave të Vendvotimeve, këshilla dhe ndihmë teknike të atypëratyshme në të gjitha fazat e procesit.

Lista “Srpska” ka marrë 2.91%, ndërsa përqindja e mbetur shpërndahet te partitë e tjera. Ndërkohë rezultatet përfundimtare Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet t’i shpallë gjatë ditëve në vijim. (Gyltene Sinani, TVM2)