Analistët: Qeveria e re me problemet e vjetra
Vera e ardhshme do të jetë me punë më të mëdha për partnerët e koalicionit të Qeverisë së re, e cila pritet të miratohet më 19 qershor nga Kuvendi............

Vera e ardhshme do të jetë me punë më të mëdha për partnerët e koalicionit të Qeverisë së re, e cila pritet të miratohet më 19 qershor nga Kuvendi.
Kështu vlerësojnë analistët politik, Albert Musliu dhe Petar Arsovski, të cilët nënvizojnë se qytetarët do të presin realizimin e platformave parazgjedhore, ndërsa rezultatet e funksionimit qeveritar do të shihen në muajin shtator.
“Pritshmëria për Qeverinë e ardhshme është shumë e madhe në bazë të platformave zgjedhore me të cilat partnerët e koalicionit hynë në zgjedhje, ashtu që besoj se ato sende të cilat iu premtuan qytetarëve dhe votuesve, do të presin prej atyre t’i realizojnë, që nuk është pak. Nga ana tjetër, pritshmëria e qytetarëve që nuk ishte te ato projekte konkrete, janë integrimet euroatlantike dhe zhvillimi socio-ekonomik i shoqërisë. Ashtu që besoj se Qeveria e re ka një detyrë goxha të madhe para tyre, por përparësi tjetër është se nuk do të humb kohë në njoftimin e funksionimit të njëri-tjetrit, do të thotë kjo është Qeveri e re, e vjetër”, deklaroi analisti politik, Albert Musliu.
Analisti Musliu beson se Qeveria e re do të jetë në thjerrëzën pak më të ashpër të qytetarëve, me qëllim të realizimit të premtimeve. Ndërsa analisti polik, Petar Arsovski, thotë se pritshmëri më të mëdha të rezultateve priten pas muajit shtator.
“Në periudhën deri në shtator nuk mund të presim shumë nga kjo Qeveri. Në platformat politike të të dy partive, shihet se ata janë përpjekur tu shmangen ndryshimeve më të mëdha. Resorët e vetëm që janë ndërruar, janë mbrojtja për arsimin. Mendoj se kjo është periudhë tejkaluese deri në shtator. Ndryshime reale në platformat politike mund të presim pas shtatorit, kështu që nga kjo Qeveri duhet të pritet shumë pak, respektivisht vazhdimin e politikës së deritanishme të Qeverisë, deri në pritje të hapave të mundshme të shtatorit”, theksoi analisti politik, Petar Arsovski.
Mandatari për të formuar Qeverinë e re, Nikolla Gruevski, tashmë ka dorëzuar përbërjen e re qeveritare në Kuvend, ndërsa kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, seancën për shqyrtimin dhe votimin e Qeverisë e ka caktuar për më 19 qershor. (Mefail Ismaili, TVM2)
