I nxehti vazhdon, 36 ndërmarrje nuk respektuan rekomandimet

07.08.2017 14:54

Edhe sot vendi vazhdon të jetë në fazën portokalli të të nxehtit....

Edhe sot vendi vazhdon të jetë në fazën portokalli të të nxehtit. Por megjithë rekomandimet e ministrisë për punë sociale, jo të gjithë punëdhënësit respektojnë rekomandimet për të parandaluar punën nën diell të punonjësve të tyre, apo për të liruar nga ardhja në punë gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjec apo të sëmurët kronikë.

Inspektorët shtetërorë kanë kryer kontrolle gjatë kësaj periudhe në 270 ndërmarje dhe kanë lëshuar ndalesa për 36 punëdhënës, që nuk kanë respektuar rekomandimet e ministrisë për të mos lënë të punojnë nën diell punonjësit e tyre nga ora 11 deri në orën 17.

Ndalesat kanë të bëjnë me sektorët e ndërtimtarisë, bujqësisë, shërbimet komunale apo konfeksionit. Punëdhënësit janë të detyruar të ajrosin mjaftueshëm hapësirat e punës, të ndalojnë punën jashtë gjatë orëve të pikut duke organizuar punën në orare të tjera para orës 11 dhe pas orës 17, të japin më shumë minuta pushim gjatë orarit të punës etj. Nëse nuk respektohen udhës=zime, nga ministria për punë sociale paralajmërojnë dënime.