Botë

Poroshenko kërkon të përfundojnë luftimet brenda javës

09.06.2014 17:30

Presidenti i ri i Ukrainës kërkon brenda javës fundin e luftimeve në rajonet lindore të vendit...

Presidenti i ri i Ukrainës kërkon brenda javës fundin e luftimeve në rajonet lindore të vendit.
 
Deklarata e Petro Poroshenko-s vjen në një kohë me njoftimet, se përplasjet e dhunshme po vazhdojnë në qytetin e Slovianskut, të kontrolluar nga rebelët dhe në rrethinat e tij. 
 
Pas takimit me të dërguarën e posaçme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Heidi Tagliavini dhe ambasadorin rus në Kiev, Mikhail Zurabov, Poroshenko sugjeroi të mbahen takime të përditshme me të ashtuquajturin “grup kontakti” tripalësh, për arritjen e një marrëveshjeje paqësore në rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut.
 
“Brenda kësaj jave përplasjet e armatosura duhet të kenë përfunduar. Të gjitha palët duhet të ulin armët. Për mua, çdo ditë që humbin jetë njerëzore, çdo ditë që Ukraina paguan një çmim kaq të lartë, është e papranueshme”, tha Petro Poroshenko. 
 
Pavarësisht operacionit anti-terror të trupave ukrainase, militantët e armatosur pro-rusë vazhdojnë të mbajnë nën kontroll një sërë ndërtesash qeveritare në rajonet lindore të vendit.
 
ZEJXHANE OSMANI