Botë

45 viktima nxirren nga varreza masive në Rashkë

09.06.2014 17:35

Në lokacionin e varrezës masive në Rudincë të Rashkës, në Serbi...

Në lokacionin e varrezës masive në Rudincë të Rashkës, në Serbi, kanë vazhduar punët kërkimore për gjetjen e mbetjeve mortore. 
 
Në lokacionin ku janë duke u bërë gërmimet janë zbuluar trupat e 40 viktimave dhe mbetje të tjera mortore. Sipas raportit të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, numri i viktimave të zbuluara deri më tash vlerësohet të jetë 45.
 
Sipas Drejtorit të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gerxhaliu, pjesa më e madhe e këtyre mbetjeve mortore janë zbuluar në pjesën veriore të varrezës masive. Ai ka paralajmëruar vazhdimin e gërmimeve në këtë lokacion, ku dyshohet se gjendet edhe një varrezë masive.
 
“Gjetjet mortore të ekshumuara i janë nënshtruar procesit të autopsisë dhe identifikimit të mbetjeve mortore, kurse në javët në vazhdim parashihet të bëhet hulumtimi i terrenit në afërsi ,ku supozohet të ketë edhe një varrezë tjetër”, ka thënë Gerxhaliu.
 
Në këtë lokacion janë duke kryer hulumtimet ekspertët e Departamentit të Mjekësisë Ligjore, ekspertët e misionit të EULEX-it, ekspertë nga Serbia, nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe ICMP.