Maqedoni
Maksuti: Kosova e aftë të ndërtojë demokracinë
09.06.2014 18:09
Kosova kaloi testin e demokracisë si parakusht për konsolidimin e Shtetit juridik, thotë analisti politik...

Kosova kaloi testin e demokracisë si parakusht për konsolidimin e Shtetit juridik, thotë analisti politik, Mersin Maksuti. Zgjedhjet e lira dhe korrekte janë parakusht për zhvillimin e demokracisë dhe këtë e bëri Kosova, thekson Maksuti.
“Kosova edhe një herë i tregoi vetes dhe botës se është e aftë të ndërtojë Shtetin demokratik, të ndërtojë demokracinë e mirëfilltë dhe kusht për demokracinë janë zgjedhjet e lira dhe demokratike që u mbajtën dhe organizuan në Kosovë”, deklaroi profesori universitar, Mersin Maksuti.
Sipas Maksutit, qytetarët e Kosovës edhe njëherë kanë vlerësuar partinë e Thaçit për momentet kyçe të formimit të Shtetit dhe projektet e realizuara në paqe.
“Edhe njëherë qytetarët vlerësuan jo vetëm momentet kyçe të ndërtimit të shtetësisë së Kosovës, që ky kryeministër dhe kjo parti e udhëhoqi vendin dhe popullin në momentet më të rëndësishme historike të tij, por edhe në paqe kjo parti jo rastësisht fitoi edhe në paqe projektet të cilat i ka bërë sidomos në infrastrukturë, dëshmoi se kjo ishte alternativa më e mirë”, theksoi profesori universitar, Mersin Maksuti.
Maksuti thotë se Kosova ka nevojë për një opozitë të fuqishme dhe këtë duhet ta bëjë LDK-ja, e cila sipas tij, duhet të pësojë ndryshime në lidership.
“Ajo, për të marrë pushtetin dhe për t’iu kthyer betejës së fuqishme për pushtet, duhet patjetër të ndryshojë menaxhmentin e saj politik, sepse demokracia ka rregulla, kur humb në zgjedhje është dorëheqja që duhet të pasojë”, potencoi Maksuti.
Ndërkaq, sipas analistëve vendor, prioritet për Qeverinë e ardhshme të Kosovës pritet të jetë sundimi i ligjit dhe heqja e ndikimit të politikës nga sistemi i drejtësisë; zbatimi i marrëveshjeve me Serbinë dhe zhvillimi ekonomik i vendit.
Partia Demokratike e Kosovës është fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, PDK duhet të kërkojë një apo dy parti partnere për krijimin e koalicionit qeveritar.
Partia e deritashme partnere e Thaçit, “Aleanca Kosova e Re”, dështoi të kalojë pragun zgjedhor prej pesë për qind, andaj pritet që Thaçi të negociojë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt, që ka siguruar afër 10 për qind të votave dhe partinë “Nisma” e Fatmir Limajt, e cila ka mbledhur më pak se 6 për qind të votave.
SHPËTIM NUREDINI
