Botë

Trump i kërcënohet Koresë Veriore me “zjarr dhe ashpërsi”

09.08.2017 12:15

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Koreja Veriore “do të ballafaqohet me zjarr dhe ashpërsi”...

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Koreja Veriore “do të ballafaqohet me zjarr dhe ashpërsi” nëse përsëri u kërcënohet Shteteve të Bashkuara.
 
“Më së miri është që Koreja Veriore të mos u kërcënohet mëtutje Shteteve të Bashkuara”, u tha mbrëmë vonë zoti Trump gazetarëve dhe ka shtuar se “ata do të ndeshen me zjarr dhe ashpërsi, që bota nuk e ka parë kurrë”.
 
Këtë vërejtje presidenti Trump e bëri pas raportit të së përditshmes, Washington Post, ku citohen zyrtarët e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, se Pheniani e ka prodhuar një kokë miniaturale atomike, që mund të vendoset brenda raketave të veta, i cili është hap madhor i përpjekjeve të këtij vendi për tu bërë fuqi komplete bërthamore.
 
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara më 5 gusht në mënyrë unanime ka vendosur sanksione kundër Koresë Veriore, që kanë për qëllim të bëjnë presion ndaj Phenianit, për ta përfunduar programin e vet atomik.
 
Në muajin korrik, Koreja Veriore i ka testuar dy raketa balistike ndërkontinentale, duke pretenduar se tash ka kapacitet për ta goditur tokën e Shteteve të Bashkuara./evropaelire