Botë
Kosovë, takimi konsultativ i partive, pa asnjë rezultat
09.08.2017 15:46
Takimi konsultativ i partive politike në Kosovë nuk ka sjellë ndonjë rezultat për të zgjidhur situatën e krijuar rreth konstituimit të institucioneve të reja...

Në takim kanë qenë të pranishëm të gjithë përfaqësuesit e partive politike, ndërkohë që nuk kanë munguar akuzat dhe kundërakuzat mes kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Adem Mikullovci, përfaqësuesve të koalicionit PAN dhe zyrtarëve të koalicionit mes Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës (LAA).
PAN është këmbëngulës se deputetët e tij nuk do të marrin pjesë në seancën e së enjtes të thirrur nga Mikullovci.
Ata nuk heqin dorë nga kandidatura e Kadri Veselit për kryeparlamentar dhe nuk kthehen në kuvend derisa nuk respektohet vullneti i subjekteve politike. Përfaqësuesit e koalicionit PAN kanë kërkuar që seanca e së enjtes të shtyhet për javën e ardhshme dhe paraprakisht të mbahet edhe një takim tjetër konsultativ.
Një propozim i tillë është kundërshtuar nga LAA, duke thënë se koalicioni PAN po tregon “papërgjegjësi dhe joseriozitet”.
LDK i ka bërë thirrje PAN-it që të marrë pjesë në seancën e thirrur për të enjten, në mënyrë që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se është detyrim para qytetarëve të vendit që të krijohen institucionet e reja të Kosovës.
Nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se kërkesa për shtyrjen e seancës është në funksion të synimeve të PAN-it “për të blerë kohë”. Kryesuesi i seancës konstituive ka thënë se seanca e thirrur për të enjten nuk mund të shtyhet.
