72 vjet nga bomba atomike në Nagasaki
Abe: Duam një botë pa armë bërthamore, Taue: Në botë ka ende 15.000 armë bërthamore...

Japonia ka përkujtuar 72-vjetorin e bombardimeve atomike në Nagasaki, ku 150,000 persona humbën jetën.
Qindra persona morën pjesë në një ceremoninë përkujtimore që rikujton ditën kur Shtetet e Bashkuara hodhën bombën atomike “Fat Man” në qytet.
Kryeministri Shinzo Abe, riktheksoi përkushtimin e tij për krijimin e një bote pa armë bërthamore.
“Këtu në Nagasaki, një qytet që vijon të lutet për paqe të përjetshme, unë rikonfirmoj përkushtimin tim për të krijuar një botë paqësore pa armë bërthamore. Njëkohësisht, i shpreh ngushëllimet e mia të gjithë atyre që humbën jetën për shkak të bombave bërthamore dhe lutem për paqen e të afërmve të viktimave, të pjesëmarrësve në këtë ceremoni dhe të gjithë banorëve të Nagasakit.” – tha kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe.
Kryebashkiaku lokal, Tomihisa Taue shprehu shqetësimet mbi situatën ndërkombëtare rreth armëve bërthamore.
“Ka ende rreth 15,000 armë bërthamore në botë. Tensioni shtohet kur flitet për situatën ndërkombëtare të armëve bërthamore. Frikëra të mëdha po përhapen se armët bërthamore do të përdoren në të ardhmen e afërt.” – u shpreh kryetari i bashkisë në Nagasaki, Tomihisa Taue.
Komentet e Taue vijnë pak ditë pasi Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara vendosi sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut, që ka vijuar të testojë armë bërthamore dhe raketa balistike. (Arlinda Baftiu, TVM2)
