Botë

Iran, 3 gra zgjidhen si zëvendës presidente

10.08.2017 15:49

Pas kritikave të marra më herët për formimin e një kabineti vetëm me burra, presidenti i Iranit...

Pas kritikave të marra më herët për formimin e një kabineti vetëm me burra, presidenti i Iranit, Hassan Rouhani ka caktuar tre gra si zëvendëset e tij dhe një si asistente për të drejtat civile,.
 
Masumeh Ebtekar është emëruar zëvendës presidente për çështjet familjare dhe ato të grave; Laya Joneydi për çështjet ligjore; dhe Shahindokht Moëlaverdi si asistente e kreut të shtetit për të drejtat civile.
 
Kjo e fundit e kishte kritikuar më herët kabinetin e përbërë vetëm nga burra. Sidoqoftë, Moëlaverdi dhe Ebtekar kanë qenë në këto poste edhe në qeverinë e mëparshme të Rouhanit.
 
Që prej revolucionit islamik të vitit 1979, në qeverinë iraniane ka qenë vetëm 1 femër dhe zhvillimet e fundit përbëjnë një ndryshim të rëndësishëm për vendin. 12 zëvendës presidentët e Republikës Islamike drejtojnë organizata që janë të lidhura me Presidencën.
 
Reformistët janë të mendimit se mungesa e diversitetit në kabinetin e ri është dëshmi se Rouhani po i përkulet presioneve të estabilishmentit fetar të Iranit.
 
Kabineti i ri, që duhet të aprovohet nga parlamenti, ka ndërkohë mungesë sunitësh, që përbëjnë 10 për qind të popullsisë iraniane me shumicë shiite.
 
Gjithsesi, ligjvënësit nuk pritet të kundërshtojnë emrat e zgjedhur nga kreu i shtetit, pasi postet kyçe jepen me miratimin e liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
 
ARDITA IMERI