Botë

Tensionet ShBA-Kore, Mattis: Lufta do të ishte katastrofike

11.08.2017 12:50

Pas retorikës armiqësore të ditëve të fundit, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis...

Pas retorikës armiqësore të ditëve të fundit, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, është përpjekur të zbusë tensionet mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut, duke thënë se Uashingtoni ishte ende i interesuar në zgjidhjen e krizës përmes diplomacisë.
 
Shefi i Pentagonit tha se ishte detyra e tij të qëndronte gati për një konflikt të mundshëm, por shtoi se lufta do të ishte katastrofike. 
 
“Tragjedinë e luftës bota e njeh shumë mirë. Ajo nuk ka nevojë për ndonjë karakterizim tjetër përveç faktit se do të ishte katastrofike" shprehet sekretari amerikan i mbrojtjes James Mattis.
 
Peniani njoftoi të enjten se po finalizonte planin për të lëshuar 4 raketa në territorin amerikan të Guamit. Kjo shtyu kreun e Shtëpisë së Bardhë të deklaronte se Koreja e Veriut duhet të jetë shumë nervoze nëse bën diçka kundër SHBA-së.
 
Presidenti amerikan  Donald Trump sugjeroi se kërcënimi i tij ndaj Koresë së Veriut se do të përballej me “zjarr e furi”, mbase nuk kishte qenë i mjaftueshëm. Ai sërisht paralajmëroi regjimin komunist se do të ketë telashe si pak kombe në histori nëse nuk kontrollon veprimet e tij.Përshkallëzimi i konfliktit mes Uashingtonit dhe Penianit ka shqetësuar aleatët europianë të SHBA-së. Politikanë gjermanë kanë propozuar që BE-ja të ndërmjetësojë për zgjidhjen e krizës mes dy vendeve.
 
Australia bëri të ditur se është e gatshme t’i bashkohet një lufte të mundshme kundër Koresë nëse Amerika do të sulmohet. Kina ndekorhe, ka paralajmëruar SHBA-në se do të qëndrojë neutrale nëse Korea e Veriut sulmon e para bazën ushtarake amerikane.
 
Por, nëse SHBA shpall e para luftë, atëherë Kina do të bashkohet me Korenë e Veriut dhe do të synojë të parandalojë çdo sulm. Për disa vite me radhë, Kina është aleati dhe partneri tregtar më i rëndëishëm i Koresë së Veriut.