Maqedoni

VMRO me interpelancën e pestë, sulmon ministrin Duraku për deponitë

11.08.2017 16:19

Vazhdojnë interpelancat e VMRO-së për ministrat e qeverisë Zaev...

Sot ishte radha e kërkesës për interpelancë ndaj ministrit të ekologjisë Sadulla Duraku, të cilin VMRO e akuzon moskujdes dhe mospërgjegjësi për mjedisin jetësor , duke theksuar problemin me zjarrin në deponinë në Strugë dhe deponitë e egra në Tetovë e Kumanovë, si dhe shkurtimin e mjeteve nga Buxheti për rehabilitim të fëmijëve të cilët kanë qenë viktimë e ndotjeve në mjediset e tyre.
 
Kjo është interpelanca e pestë e dorëzuar nga grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së. 
 
“Asnjë institucion nuk u ka dalë në ndihmë qytetarëve për shkak se për Qeverinë dhe Ministrinë e Ekologjisë,  prioritet, kanë qenë punësimet partiake dhe emërimi i drejtorëve dhe funksionarëve në institucione. Deputetë më 15 qershor të këtij viti kanë kërkuar informatë për gjendjen me deponinë e egër në Strugë dhe seancë urgjente dhe të posaçme të Kuvendit në të cilën do të debatohet për këtë problem serioz, por nuk kanë hasur në mirëkuptim nga shumica parlamentare. Ministri Duraku, është drejtpërdrejt përgjegjës edhe për pezullimin e mjeteve për rehabilitim të fëmijëve nga Velesi, Kavadari, Ilindeni, Osllomeju dhe Zozarci si pasojë e ndotjes së mjedisit jetësor në këto vende, e cila sivjet duhet të mbahet për të 16-tën herë. Mjetet, kanë qenë të përcaktuara me buxhetin për vitin 2017, por janë pezulluar me ribalancin e buxhetit”, shprehet deputetja e VMRO-DPMNE-së, Liljana Zaturoska.