Koalicionet e mundshme në Kosovë
Kështu kanë vlerësuar disa nga analistët politik të cilët janë cituar nga mediat kosovare, duke u bazuar në rezultatin e ngushtë mes PDK-së dhe partisë rivale, LDK-së…..

Nëse partitë politike opozitare në Kosovë, LDK, Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u qëndrojnë besnike fjalëve që i kanë thënë gjatë fushatës zgjedhore për të mos hyrë në koalicion me PDK-në, atëherë kjo e fundit megjithëse doli fituese e zgjedhjeve, do ta ketë të vështirë të formojë koalicion qeveritarë.
Kështu kanë vlerësuar disa nga analistët politik të cilët janë cituar nga mediat kosovare, duke u bazuar në rezultatin e ngushtë mes PDK-së dhe partisë rivale, LDK-së.
Publicisti Veton Surroi vlerëson se “Katër partitë politike nga blloku opozitar që përbëjnë shumicën e elektoratit kosovar, duhet të marrin përgjegjësinë për votën e marrë. Ato nuk janë të autorizuara nga votuesit e tyre që të hyjnë në negociata me PDK-në dhe nuk duhet të hezitojnë për zhvillim të bisedimeve për formimin e Qeverisë së re, thotë Surroi.
Ndërsa ka pasur edhe analist të cilët nuk kanë përjashtuar mundësinë e një koalicioni PDK-LDK. Por, anëtari i kryesisë qendrore të LDK-së, Muharrem Sfarça, vlerëson se një koalicion mes PDK-së dhe LDK-së nuk do të ishte i mirë për demokracinë.
"Mendoj se nuk do të ishte e shëndetshme për shëndetin e demokracisë së përgjithshme në Kosovë që dy partitë kryesore të jenë në koalicion”, theksoi Muharrem Sfarça nga LDK.
Në këtë drejtim mund të shihet edhe takimi i sotëm i liderit të LDK-së, Isa Mustafa dhe atij të AAK-së, Ramush Haradinaj, të cilët janë takuar sot për kafe në një lokal të Prishtinës. Mediat kosovare njoftojnë se në këtë takim është biseduar për koalicionet e mundshme. Edhe Vetëvendosje e Albin Kurtit, e cila ka dalë partia e tretë në këto zgjedhje, ka ftuar partitë opozitare që të mos i bashkëngjiten PDK-së që të formojë Qeveri të re.
"Do t’i fillojmë kontaktet për takime me partitë e tjera opozitare, që të mos i bashkohen Thaçit në ripërtëritjen e keqqeverisjes”, potencoi Albin Kurti nga partia Vetëvendosje.
Opsion tjetër për koalicion është edhe Nisma për Kosovën e Fatmir Limajt. Ky i fundit nuk e ka përjashtuar parimisht mundësinë për koalicion, por gjithsesi pasi ta shohë ofertën.
“Se si do të shkojë, ç’farë koalicione do të ndërtohen, kush do të ofrojë koalicione dhe mbi bazën e kësaj ne do të japim përgjigjen", deklaroi nga Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj.
Por, Jakup Krasniqi, i cili po ashtu është pjesë e Nismës për Kosovën, është shprehur kundër një koalicioni me PDK-në. Ai thotë se nuk beson se Nisma do të hyjë në koalicion me PDK-në, por megjithatë pret që me vendimin përfundimtar të dalin organet e partisë. Ai thotë se opozita ka marrë bashkë më shumë se gjysmën e votave të atyre që kanë votuar, prandaj mund të formojnë një Qeveri të përbashkët teknike, apo një Qeveri të mirëfilltë dhe stabile.
Lidhur me zërat se AAK dhe Nisma do të vendosnin si kusht për bashkëqeverisje me PDK-në që Hashim Thaçi të mos jetë kryeministër, nga PDK kanë deklaruar se posti i kryeministrit nuk është i negociueshëm. Enver Hoxhaj, nënkryetar i PDK-së, ka deklaruar për gazetën “Koha Ditore” se nuk ka ndonjë vijë të kuqe për subjektet me të cilat mund të lidhet partneriteti qeverisës. Megjithëkëtë, ka theksuar se vija e kuqe do të mbetet në fuqi për postin e të parit të Ekzekutivit.
Pjesë e koalicionit pritet të jenë edhe partitë e pakicave në Kosovë. Madje përfaqësuesit e listës “Sërpska” kanë shprehur gatishmëri për të kualicionuar me PDK-në. (Gyltene Sinani, TVM2)
