KUVENDI

Emrat e nënkryetarëve së shpejti

10.06.2014 16:25

Po në këtë seancë pritet të konfirmohet ose jo spekulimi se edhe posti i nënkryetarit, i rezervuar për opozitën, do të jetë shqiptar për aq kohë sa opozita maqedonase bojkoton punën e Kuvendit…..

Emrat e kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Republikës do të mësohen nesër. Edhe pse spekulohet se njërin nga tre postet e nënkryetarit do ta zërë sërish Rafiz Haliti, ish-nënkryetar i Parlamentit në periudhën 2008-2011, kjo do të mësohet në seancën e tretë të Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, i caktuar për të mërkurën.

Po në këtë seancë pritet të konfirmohet ose jo spekulimi se  edhe posti i nënkryetarit, i rezervuar për opozitën, do të jetë shqiptar për aq kohë sa opozita maqedonase bojkoton punën e Kuvendit. Veç nënkryetarëve të Parlamentit, Komisioni do të vendos edhe për propozim-vendimin për zgjedhjen e kryetarëve, nënkryetarëve, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre të komisioneve të tjerë parlamentar. 

Bojkoti i opozitës maqedonase do të vë në sprovë Komisionin për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve edhe gjatë formimit të trupave të tjerë parlamentar edhe pse kryeparlamentari Trajko Veljanovski paralajmëroi se postet e rezervuara për opozitën do të zëvendësohen me deputetë nga shumica dhe opozita shqiptare, me autorizim deri në kthimin e opozitës.

Shqyrtimi kërkesave për apanazhë është një çështje tjetër shumë e diskutueshme. Komisioni duhet të shqyrtojë kërkesat e parashtruara për të marrë rroga edhe pas përfundimit të funksionit deputet.

Në ndërkohë, në Kuvend është dorëzuar propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për Deputetë, me të cilin u jepet e drejta për të marrë rrogë tre muaj pas përfundimit të funksionit deputet edhe atyre që mandati u ka zgjat më pak se gjashtë muaj.

Propozimi, i cili vjen nga deputetët e VMRO DPMNE-së, është në favor të deputetëve të opozitës, të cilët kanë dorëzuar mandatet menjëherë pas verifikimit të tyre në seancën e parë plenare.(Shpëtim NUREDINI, TVM2)