KE, 17 shtete kanë marrë vezë të kontaminuara
15 shtetesh të BE-së, plus Zvicrën dhe Hong Kongun....

15 shtetesh të BE-së, plus Zvicrën dhe Hong Kongun, kanë marrë vezë të kontaminuara nga një insekticid i dëmshëm për shëndetin e njeriut, njoftoi Komisioni Evropjan.
Vendet e BE-së të prekura nga skandali janë Belgjika, Holanda, Gjermania, Franca, Suedia, Britania, Austria, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Polonia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia dhe Danimarka.
Një zëdhënës në Bruksel tha se, situata është në zhvillim e sipër dhe një hetim kriminal vazhdon, me dy persona të arrestuar të enjten për mashtrim, pas një serie aksionesh në Belgjikë dhe Holandë. Produktet në supermarketet britanike janë tërhequr tashmë, pasi u zbulua se pretendimi për 21 mijë vezë të kontaminuara në tregje nuk ishte i vërtetë, pasi zyrtarët konfirmuan se bëhet fjalë për më shumë se 700 mijë të tilla. Pas arrestimit të dy drejtorëve të kompanisë holandeze, “Chickfriend”, që besohet se ka ofruar insekticidin e ndaluar për fermerët, një person i tretë i është nënshtruar kontrolleve dhe marrjes në pyetje të hetuesve holandezë.
Javën e shkuar u bë e ditur nga ministri belg i Bujqësisë se, që në nëntor, autoritetet holandeze kishin marrë informacione për insekticidin që po përdorej në mënyrë të jashtëligjshme në fermat e vendit. Informacioni nuk iu ishte përcjellë vendeve të tjera.
Holanda është justifikuar duke thënë se, fillimisht hetimi ishte orientuar te mashtrimi dhe nuk kishte marrë parasysh rreziqet shëndetësore. Kur shkalla e kontaminimit u bë e ditur, 180 ferma në Holandë u detyruan të mbylleshin.
