Virginia, dhuna e nacionalistëve të bardhë, 3 të vdekur

13.08.2017 20:01

Një grua ndërroi jetë dhe 19 të tjerë u plagosën...

Një grua ndërroi jetë dhe 19 të tjerë u plagosën, kur një automjet përplasi turmën e njerëzve që kundërshtonin një miting të ekstremit të djathtë që mbahej në këtë qytet.

FBI-ja ka hapur zyrtarisht një hetim mbi të drejtat e njeriut pas këtij incidenti. Pak përpara incidentit me automjetin, sherre dhe shkëmbime grushtash pati mes nacionalistëve dhe bardhë dhe kundërshtarët e protestës.

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions tha se “dhuna dhe viktimat në Charlottesville goditën zemrën e ligjit dhe drejtësisë amerikane”.

“Kur ndodhin të tilla veprime nga fanatizmi dhe urrejtja racore, ata kanë tradhtuar vlerat tona kryesore dhe nuk mund të tolerohen”, tha kryeprokurori. James Fields, 20-vjeçar nga Ohio, është i dyshuari që drejtoi automjetin e tij drejt turmës, e tashmë ndodhet në paraburgim me akuzën për vrasje të shkallës së dytë. Poashtu 15 persona u plagosën gjatë dhunës që shpërtheu në lidhje me marshimin e ekstremistëve të djathtë.

Pasditen e djeshme, edhe një helikopter i Policisë së Virginias u përplas në një pyll në jugperëndim të qytetit, ku humbën jetën dy oficerë policie. Helikopteri ishte pjesë e operacionit për të monitoruar përplasjet mes njerëzve.

Presidenti amerikan Donald Trump, e ka dënuar dhunën në Virgjinia, që ka çuar në vrasjen e tre personave dhe plagosjen e së paku 35 të tjerëve.

Trump tha se në Shtetet e Bashkuara “nuk ka vend” për dhunë të tillë dhe e ka dënuar “me fjalët më të ashpra të mundshme” atë që ai tha se ishte “paraqitje skandaloze e urrejtjes, fanatizmit dhe dhunë nga shumë palë”.