TESTIMI EKSTERN

Përfundon viti shkollor 2013/2014

10.06.2014 16:53

Në vitin shkollor 2013/2014, procesin mësimor e ndoqën 200 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, ndërkohën që 20 mijë e 800 nxënës për herë të parë u ulën në bankat shkollore……

Në vitin shkollor 2013/2014, procesin mësimor e ndoqën 200 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, ndërkohën që 20 mijë e 800 nxënës për herë të parë u ulën në bankat shkollore.

Gjenerata e sivjetme është e fundit e cila ka ndjekur mësimin fillor tetëvjeçar dhe për herë të parë për nxënësit para një muaji u shpallën pyetjet e vlerësimit ekstern.

“Propozimi i Ministrisë për nëntëvjeçare, shkollimi nëntëvjeçar ka përparësitë e veta, klasa 0, e cila ka qenë në një fazë përgatitore, shndërrohet në klasë të parë, nxënësit adaptohen në këtë sistem dhe na vijnë më të përgatitur”, - deklaroi drejtori i sh. f. “Liria”, Talat Sadiku.

“Ka rezultate të cilat janë evidente edhe pse ka qenë më i turbullt viti, nuk ka qenë ashtu siç jemi mësuar të jetë vit shkollor me parametrat që duhet të ketë, por ka pasur shumë ndërhyrje me projekte të ndryshme”, theksoi drejtori i sh. f. “Ismail Qemali”, Kadri Agushi.

Gëzimi te nxënësit për përfundimin e vitit shkollor ishte disi i zbehtë, sepse edhe gjatë ditës së sotme nxënësit iu nënshtruan vlerësimit ekstern.

“Ishin disa mësime që nuk i kemi mësuar, ato mund ta prishin suksesin tonë dhe unë ankohem për to”, u shpreh një nxënëse.

“Pyetjen e tetë nuk e kisha të qartë, nuk e kemi mësuar gjatë vitit dhe nuk dija të jap përgjigje”, - tha një nxënëse tjetër.

“Nxënësit janë ankuar për disa pyetje të parashtruara në gjuhën maqedonase ose nuk janë përkthyer siç duhet”, potencoi një testues.

Rezultatet nga testimi ekstern do të shpallen më së voni në fund të muajit, ndërsa viti i ardhshëm do të jetë edhe më i vështirë me vendosjen e lëndës së matematikës si lëndë e obligueshme e testimit ekstern. (Flutura Latifi – Rahimi, TVM2)