17 viktima, 8 të plagosur

14.08.2017 12:28

17 persona u vranë dhe 8 të tjerë mbetën të plagosur....

17 persona u vranë dhe 8 të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e një sulmi terrorist në kryeqytetin e Burkina Fasos, kur  tre agresorë të armatosur hapën zjarr mbi klientët e ulur në një restorant.

Pak çaste më vonë, agresorët u eleminuan fizikisht nga policia. Megjithëse sulmi nuk është marrë ende përsipër, autoritetet dyshojnë se bëhet fjalë për degë të Al-Kaedës që janë aktive në rajon.

“Sapo kishim mbaruar së ngrëni  dhe po dilnim nga restoranti, po prisnim shoferin të vijë të na marrë. Atëherë dëgjuam të shtënat. Më pas nuk di se çfarë u bë” – tha Aline Kabore, dëshmitar okular.

“Në fillim menduam se ishte vjedhje  por më pas kuptuam se ishte më shumë se kaq. Disa na thanë që ishte pengmarrje, atëherë i pamë ata që gjuanin. Ishte shumë keq. ne arritëm të dalim por kishte shumë njerëz që mbetën brenda” – tha Moussa Ouedraogo, një dëshmitar tjetër okular.

Policia në kryeqytetin e Burkina Fasos tha se nuk është ende e qartë se sa terroristë morën pjesë në sulm, prandaj niveli i sigurisë është mjaft i lartë, ndërsa vijojnë operacionet në zonën rreth vendngjarjes.

Mediat lokale raportojnë se mes viktimave ka edhe shtetas të huaj, por kjo nuk është konfirmuar ende zyrtarisht. 

Sulmet terroriste nuk janë të pazakonta në këtë vend afrikan, që bën pjesë në rajonin e Sahelit bashkë me Malin, ku grupet islamike janë aktive që prej vitit 2012. Janarin e vitit të shkuar, një sulm i ngjashëm në një kafene i kushtoi jetën 30 personave.